Shkëndija është eliminuar që në raundin e parë të Ligës së Konferencës, aty ku hasi në një kockë të fuqishme, edhe pse realisht pas shortit të hedhur, të gjithë e shihnin Shkëndijën fituese në dy luftimin përballë skuadrës së Haverfordwest nga Uellsi, njofton “infOSport.mk”.
Pas fitores 1:0 në ndeshjen e parë në Shkup dhe atyre shumë rasteve pa epilog, sërish mendohej se Shkëndija nuk do ta diskutojë fitoren sonte, mirëpo në terren gjërat shkuan më ndryshe, pasi “kuqezinjtë” jo që nuk gjetën golin, por e pësuan fare në fund.
Ishte mbrojtësi 21-vjeçar Lee Jenkins, ai i cili në minutën e 89-të arriti që të shënojë në rrjetën e Taleskit.
Ky gol erdhi në një moment shumë të keq për Shkëndijën, që nuk kishte kohë të rikthehet, ashtu që ndeshja shkoi në vazhdime, dy herë nga 15 minuta.
Edhe në këto 30 minuta lojë, asnjëra prej skuadrave nuk gjeti rrjetën, kështu që fituesi duheshe të përcaktohet përmes penaltive, aty ku më të suksesshëm dolën futbollistët e Haverfordwest, përkundër faktit se nuk e nisën mbarë ruletin e penaltive.
Hawkins ishte ai i cili nuk arriti të shënojë, ndërsa Krasniqi kaloi në epërsi Shkëndijën, futbollistët e së cilës skuadër, megjithatë gabuan në dy goditjet e rradhës, duke i mundësuar ekipit vendas që të përmbys rezultatin në 3:1, pas dy huçjeve të Çinarit dhe Adilit.
Goli i Qakës dhe gabimi i futbollistit vendas, Fawcett rikthyen shpresat e Shkëndijës, mirëpo të njëjtat i shuajti, Florent Ramadani, i cili nuk arriti të shënojë në serinë e 5-të finale.
Kështu Shkëndija përshëndetet nga garat europiane, këtë herë duke u mundur me penalti nga ekipi përfaqësues i Uellsit, Haverfordëest, që në raundin e dytë do të përballet me ekipin përfaqësueses nga Ishujt Faroe, B36 Torshavn. (infOSport.mk)