FC Shkupi ka shkruar historinë sonte në futbollin europian, duke regjistruar fitoren më të thellë ndonjëherë të skuadrës nga Çairi. Skuadra e trajnerit Xhihat Arslan shënoi fitore 5:0 në transfertën ndaj FC Hegelman në Lituani, duke bërë fakt të kryer kualifikimin për në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, njofton “infOSport.mk”.
Figurë kryesore te “bardheblutë” sonte ishte Renaldo Cefas, i cili realizoi plotë 4 gola, derisa një gol realizoi braziliani, Inacio Kueven.
Cefas golin e tij të parë e realizoi vetëm pas 11 minutave lojë, ndërsa në minutën e 23, Kueven dyfishoi rezultatin. Kur të gjithë menduan se skuadrat në pushim do të shkojnë me shifrat 2:0 në favor të FC Shkupit, ashtu nuk mendoi lojtari i ndeshjes, Cefas që në minutën e parë shtesë, realizoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën përfaqësuese të vendit tonë.
Cefas vazhdoi shkëlqimin e tij edhe në pjesën e dytë, aty ku gjeti rrjetën edhe dy herë të tjera. Fillimisht në minutën e 56-të shënoi për 4:0, ndërkohë nuk vonoi shumë dhe në minutën e 62-të xhamajkani 23 vjeçar shënoi edhe golin e katërt personal, duke zhvilluart pa dyshim ndeshjen e tij më të mirë të karrierës.
Kujtojmë, Cefas kishte shënuar edhe edicionin e kaluar në Europë, kur i shënonte Dinamo Zagrebit.
Ndeshjen e kthimit në Shkup me datë 20 korrik, FC Shkupi do të duhet vetëm ta administrojë mirë, pasi që lirisht mund të themi se skuadra e strategut turk, Xhihat Arslan, ka siguruar tashmë një përballje me bullgarët e Levski Sofjes në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. (infOSport.mk)