Mevlan Murati “tradhëtoi” Voska Sport, nënshkruan me Rabotniçkin

Edhe pse ishte shumë pranë transferimit te Voska Sport, Mevlan Murati në moment të fundit ka ndryshuar mendje, duke vendosur që ti bashkohet skuadrës shkupjane të Rabotniçkit, njofton “infOSport.mk”.

Murati ishte në bisedime për disa javë me drejtuesit e skuadrës shqiptare nga Ohri, madje palët kishin arritur marrëveshje verbale, megjithatë tashmë ish futbollisti i Shkëndijës në moment të fundit ka ndryshuar mendje duke firmosur kontratë dy vjeçare me “romantikët” nga Shkupi.

Murati te Rabotniçki transferohet si agjent i lirë, pasi i kishte përfunduar kontrata me Shkëndijën, me të cilën skuadër ka arritur sukseset më të mëdha në karrierë.

29-vjeçari me “kuqezinjtë” nga Tetova kishte fituar 5 tituj, edhe atë 3 tituj kampion, 1 Kupë dhe 1 Superkupë të vendit.

Do të jetë kjo hera e dytë që Murati do të luaj në kryeqendrën tonë, pasi më parë në formë huazimi kishte luajtur edhe me FC Shkupin.

Ndryshe, mbrojtësi i krahut të djathtë i cili me Shkëndijën edicionin e kaluar zhvilloi plotë 1825 minuta në të gjitha garat, gjatë karrierës së tij kishte luajtur edhe me Renovën si dhe me skuadrën e Partizanit në Superligën shqiptare. (infOSport.mk)

Leave a Reply