90 minuta lojë, asnjë goditje në drejtim të portës kundërshtare, qoftë edhe jashtë kuadratit, e për më tepër në anën tjetër plotë 7 gola të pësuar.
Është ky epilogu më i rëndë që i ka ndodhur përfaqësueses së Maqedonisë në histori.
Tërmeti 7 ballësh që ndodhi sonte në “Olld Traford” mund të lëviz edhe pozitën e seleksionuesit Bllagoja Milevski, nën drejtimin e të cilit Maqedonia pësoi edhe disfatën e 8-të pas 21 ndeshjeve që është në krye të ekipit “verdhekuq”.
Për më tepër ishte kjo disfata e dytë rradhazi e Maqedonisë në këto eliminatore, që mund ta dërgojnë jashtë përfaqësuesen tonë, duke pasur parasysh se në grup kemi dy super fuqi, Italinë dhe Anglinë, që vetëm se me një këmbë mund të llogaritet si kombëtarja që do prek Euro 2024.
LEXO GJITHASHTU: Pas dy barazimeve historike në tokën angleze, Maqedonia këtë herë turpërohet nga Anglia (VIDEO)
Mirëpo pavarësisht disfatës më të thellë në histori, Bllagoja Milevski pas përfundimit të ndeshjes, në konferencën për shtyp me gazetarët, tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet, pasi kjo skuadër që po udhëheq kishte mundur Italinë e madhe, ndërsa gjithashtu kishte luajtur 60 minutat më të mira ndonjëherë ndaj Ukrainës të premtën në Shkup.
“Dua t’i kërkoj falje të gjithë kombit për paraqitjen tonë, në emrin tim personal, por edhe në emër të gjithë lojtarëve. Përgjegjësia është tërësisht e imja, dhe një ndjesë e madhe për ata tifozë që kishin ardhur deri këti për të na përkrahur. Ndodhin edhe momente të tilla. Por nuk do të thotë që në një moment të tillë duhet të dorëzohemi. Unë jam një luftëtar dhe me lojtarët e mi do të luftojmë për të ndryshuar këtë gjendje. Çfarë të them tjetër? Le të flejmë sonte dhe shpresoj se do të gjejmë një mënyrë për t’u konsoliduar”- u shpreh Bllagoja Milevski, i cili sonte me Maqedoninë regjistroi ndeshjen e 21-të në krye, ku ka regjistruar 8 fitore, 5 barazime dhe 8 disfata.