Suhel Muharemi edhe zyrtarisht karrierën e tij do ta vazhdojë në Shqipëri, duke nënshkruar me një ndër skuadrat më të njohura atje, Skënderbeun. Skuadra korçare edicionin e ri do të luaj në Superligën shqiptare, aty ku Muharemi shpreson të tregojë gjithë potencialin e tij, duke pasur parasysh se te Skënderbeu shkon si kampion.
Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se shkupjani, Muharemi me Skënderbeun ka firmosur kontratë dy vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Së fundmi Muharemi luajti me fanellën e Struga Trim Lum, të cilës skuadër iu bashkua shtatorin e vitit 2021. Ai brenda kësaj periudhe të kaluar te skuadra strugane zhvilloi 26 paraqitje, 13 prej të cilëve edicionin e fundit, ku realizoi edhe 3 gola dhe 3 asistime.
Ndryshe Muharemi është prodhim i shkollës së FC Shkupit, me të cilën skuadër kishte regjsitruar golin në moshën më të re në Ligën e Parë, ndërsa gjithashtu gjatë karrierës së tij përveç me Struga Trim Lum, kishte luajtur edhe me Renovën dhe Rabotniçkin.
Transferimi te Skënderbeu, është aventura e tij e parë jashtë Maqedonisë, aty ku kërkohej edhe nga Voska Sport, ndërsa vlen të theksohet se në garë për shërbimet e shkupjanit 21-vjeçar, ishte edhe Dinamo Tirana. (infOSport.mk)