Struga Trim Lum ka shënuar fitoren e parë në ndeshjet kontrolluese, në kuadër të përgatitjeve që kjo skuadër po i zhvillon në kuadër të sezonit të ri futbollistik, e që për herë të parë në historikun e saj, kjo skuadër do të garojë në Ligën e Dytë – Perëndim.
Skuadra që udhëhiqet nga strategu Nexhad Husein, sot në transfertë mundi ekipin e Novacit me rezultatin 3:2.
Fillimi i takimit u takoi vendasve, të cilët brenda 6 minutave shënuan dy gola të shpejtë në rrjetën e struganëve.
Mirëpo kjo epërsi e shpejtë e Novacit, nuk hutoi fare futbollistët strugan, të cilët me kalimin e minutave, dalë nga dalë morrën lojën në duart e tyre.
Figurë kryesore te skuadra e Struga Trim Lum në këtë ndeshje ishte Flamur Tairi, një ish futbollisti i Teutës dhe Bylisit nga kampionati i Shqipërisë si dhe shumë skuadrave në vendin tonë.
Ai morri skuadrën në duart e tij, duke shënuar dy gola gjatë pjesës së parë për barazim të rezultatit në 2:2, ndërsa në pjesën e dytë realizoi edhe një tjetër gol për të mundur i vetëm skuadrën e Novacit.
Ishte kjo fitorja e parë e Struga Trim Lum, pas asaj disfate në ndeshjen ndaj Renovës (3:1), ndërsa ndeshjen e rradhës miqësore Struga Trim Lum do ta zhvillojë me 29 korrik ndaj Lirisë së Prizrenit.