Armend Alimi edhe zyrtarisht sezonin e ri do të luaj me skuadrën e Besës nga Dobërdolli. Alimi me skuadrën shqiptare që garon në Ligën e Dytë, por që ka ambicie të larta për në sezonin e ardhshëm, siç mëson “infOSport.mk” ka firmosur kontratë një vjeçare, duke ju dhënë fund spekullimeve rreth të ardhmes së tij.
Alimi është një emër i njohur në futbollin vendor, aty ku karrierën e tij e kishte nisur në vendlindje te skuadra e Bashkimit, për të luajtur më pas edhe te Milano e Kumanovës, nga e cila skuadër vitin 2009 ishte transferuar për herë të parë jashtë vendit, duke iu bashkuar skuadrës kroate të NK Istra.
Pasoi një transferim në Suedi te skuadra e Orebros, për të veshur më pas fanellën e dy skuadrave qipriote të Nea Salamis dhe Ermis Aradippou, nga e cila skuadër në vitin 2014-të u transferua te Shkëndija.
Rikthimi në vendlindje ishte një hap shumë i rëndësishëm për Alimin, pasi me “kuqezinjtë” arriti sukseset më të mëdha në karrierë, duke u shpallur 3 herë kampion i Maqedonisë, ndërsa gjithashtu kishte fituar edhe Kupën e Maqedonisë.
Së fundmi, Alimi mbronte ngjyrat e Rabotniçkit, nga e cila skuadër tashmë transferohet te Besa e Dobërdollit, me qëllim për të ndihmuar këtë skuadër që të siguroj një vend për në Ligën e Parë. (infOSport.mk)