Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme ka prezantuar edhe blerjen e dytë, pas Mentor Mazrekajt. Pjesë e familjes kampione prej sot është edhe 19-vjeçari Ardi Idrizi, i cili vjen nga rradhët e skuadrës juniore të Adana Demirspor.
Ndryshe, Idrizi është me origjinë nga Tetova dhe si shumica e të rinjëve tetovar, edhe ai kishte nisur karrierën te Shkëndija, mirëpo falë talentit të tij, i njëjti që në moshë të re ishte transferuar jashtë vendit.
Ai fillimisht kishte udhëtuar drejt Spanjës, duke luajtur për tre vite me skuadrën e Cornella, ndërsa së fundmi te Adana Demirspor kishte qëndruar për një vit e gjysmë.
“Jam shumë i lumtur që i bashkohem një skuadre kampione, siç është Struga Trim Lum. Besoj se kam bërë zgjidhjen e duhur, pasi këtu mund të avansohem si futbollistë dhe të eci para na karrierën time. Vendosa të rikthehem në vendlindje dhe të provoj veten në futbollin profesionit me një skuadër kampione, kjo edhe shkaku i korrektësisë së drejtuesve të kësaj skuadre, por edhe ambicieve që kanë si skuadër. Pranë një profesori siç është Shpëtim Duro, besoj se kam bërë zgjidhjen e duhur” – u shpreh fillimisht Ardi Idrizi, i cili me ekipin e Adana Demirspor sezonin e fundit kishte zhvilluar 7 ndeshje, duke regjistruar edhe një gol.
Idrizi, i cili luan si mbrojtës i krahut të djathtë, me Struga Trim Lum ka firmosur kontratë tre vjeçare, ndërsa pas prezantimit të bërë, menjëherë është bashkuar me grupin e skuadrës strugane, në përgaditjet për kampanjën evropiane.