Sadat Ziberi me origjinë nga Tetova, i cili si një vjeçar bashkë me familjen e tij kishte migruar për në Kroaci, ka bërë një hap të madh në karrierën e tij si lojtarë i futbollit në palestër. Ai nga elita e futsalit kroat është transferuar në Itali, ku ka nënshkruar me skuadrën e Milanos, një ndër pretendentët kryesor për të siguruar një vend në mesin e skuadrave më të mira në futsalin italian.
Ziberi i cili në fund të muajit gusht mbush 24 vjet, karrierën e tij e kishte filluar te skuadra kroate e Alumnus, me të cilën skuadër para tre viteve ishte shpallur kampion, që më pas në vitin 2015-të, të transferohet te Futsal Dinamo.
Në sezonin e tij të parë me fanellën e Futsal Dinamo, Ziberi realizoi 17 gola, teksa në sezonin e dytë, sezonin e kaluar ai realizoi 11 gola, mirëpo duhet cekur se në pjesën e dytë të sezonit, për shkak të një lëndimi më serioz mungoi në pjesën më të madhe të ndeshjeve.
Ziba me skuadrën e Milanos ka nënshkruar kontratë një vjeçare, ndërsa bashkë me të te skuadra italiane po nga Futsal Dinamo është transferuar edhe Matej Horvat.
Rikujtojmë Sadat Ziberi – Ziba është edhe anëtarë i përfaqësueses së Maqedonisë në futsal, me të cilën përfaqësuese ka zhvilluar 10 ndeshje dhe ka realizuar dy gola. A gjithashtu kishte qenë edhe pjesë e përfaqësueses shpresa të Kroacisë, duke regjistruar 4 ndeshje dhe 2 gola.