Antonio Kalanoski nuk është më pjesë e Gostivarit. Një gjë të tillë për “infOSport.mk” konfirmoi vetë futbollisti me origjinë nga Ohri, i cili sezonin që lamë pas ishte golashënuesi më i mirë te skuadra e Gostivarit, duke ndihmuar këtë skuadër që gati pas një dekade të rikthehet në elitën e futbollit vendor.
Kalanoski në 25 ndeshje të zhvilluara me fanellën e Gostivarit, realizoi po aq gola, duke qenë një lider i padiskutueshëm i skuadrës, që sezonin e mbylli pa asnjë disfatë.
29-vjeçari skuadrës së Gostivarit iu bashkua shtatorin e vitit të kaluar, kur erdhi nga rradhët e FC Shkupit, ndërsa vlen të theksohet se i njëjti ka një bagazh të pasur, duke luajtur për shumë skuadra vendore, përfshirë këtu edhe Struga Trim Lum, Sileksin, Bellasicën, Pobedën, Borecin, Mlados Carev Dvor, Napredokun, Lokomotivën, Metalurgun dhe Ohrid Lihnidos, ku edhe kishte nisur karrierën si futbollistë profesionist.
Kalanoski në Ligën e Parë numëron plotë 138 ndeshje dhe 18 gola të shënuar, ndërsa i njëjti në të kaluarën kishte qenë pjesë edhe e përfaqësuesese U17 dhe U19 të Maqedonisë. (infOSport.mk)