Shpëtim Duro trajneri më i mirë i sezonit sipas portalit sportiv Sportmedia

Titulli historik kampion i Struga Trim&Lum ka bërë që edhe titujt individual nga mediat më të njohura sportive në vend të shkojnë në adresë të kampionëve. Kështu, portali “Sportmedia.mk” ka përzgjedhur edhe Shpëtim Duron për trajner të vitit.

Në përshkrimin e tyre për zgjedhjen e Duros si trajner i vitit ata shkruajnë:

“Atë që e nisi Srgjan Zaharievski, gjithsesi e përfundoi në mënyrë maestrale Shpëtim Duro, trajneri me eksperiencë nga Shqipëria. Të udhëhequr nga këta dy strategë, sezoni u mbyll më sukses historik për Struga Trim Lum.

Është e qartë se të dy ndoshta e meritojnë titullin, por duke pasur parasysh që Duro praktikisht e fitoi titullin në pjesën pranverore në ato 11 xhiro, “Sportmedia” megjithatë vendosi të emërojë Duron si trajner të sezonit.

Kur Duro zëvendësoi Zaharievskin, ai kishte vetëm dy pikë avantazh si kryesues dhe në fund përfundoi me +10 pikë përpara Shkupit të vendit të dytë. Interesant është fakti se ndonëse praktikisht skuadra e tij ishte kampione me dy xhiro para fundit, ai luajti me futbollistët më të mirë në dy ndeshjet e fundit dhe ia doli të mposht Shkendijen si mysafir dhe Shkupin në shtëpi. Ai donte që thjesht të mos kishte asnjë njollë në titull”.

Duro e çoi ekipin e tij edhe në finalen e Kupës, ku të shtunën kundër Makedonija Gjorçe Petrovit, skuadra e tij do të luftojë për trofeun e dytë në këtë sezon.

Këtë pranverë në LPFMV, Shpëtim Duro e ka udhëhequr Strugën në 11 ndeshje, në të cilat ka fituar 9 dhe vetëm dy janë mbyllur me barazim, duke mos pësuar asnjë humbje.

Leave a Reply