Pas largimit të portierit Kristijan Naumovski, është lënë një zbrastirë e madhe, sa i përket portës së skuadrës nënkampione të FC Shkupit. Për momentin rolin e portierit të parë e luan Artan Iljazi, ndërsa me siguri se drejtuesit e skuadrës shkupjane së shpejti do të vendosin edhe për një emër të ri në portën e tyre, edhe atë për ndeshjet europiane që i presin në Ligën e Konferencës.
Mediat maqedonase në vend, gjatë ditës së sotme publikuan lajmin se David Denkovski do të zbarkojë në Çair, mirëpo informacionet e “infOSport.mk” thonë të kundërtën. Gardiani 22-vjeçar deri më tani nuk është kontaktuar nga askush, për më tepër i njëjti ka kontratë edhe një vit me skuadrën e Bregallnicës.
“Tani për tani nuk kam asnjë informacion të tillë, mua nuk më ka kontaktuar askush. FC Shkupi është top skuadër dhe me siguri se secili do të dëshironte të luaj për këtë skuadër. Mirëpo për fat të keq nuk mund të jap asnjë deklaratë, pasi nuk jam i sigurtë dhe nuk më ka kontaktuar njeri” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, David Denkovski, i cili gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë zinxhir e përfaqësueseve të vendit, duke filluar që nga U18, U20 dhe së fundmi U21 të Maqedonisë, për të cilën numëron edhe 10 paraqitje.
Ndryshe, Denkovski pjesë e Bregallnicës është që nga viti 2020, ndërsa kishte filluar te shkolla e Vardarit, që më pas të jetë pjesë edhe e skuadrës së Akademia Pandev, për të cilën ka regjistruar 3 paraqitje në Ligën e Parë, ndërsa me skuadrën nga Shtipi, i njëjti numëron plotë 32 paraqitje. (infOSport.mk)