Struga Trim Lum me stil e mbylli titullin e kampionit….mundi ish kampionët e FC Shkupit!

Struga Trim Lum sezonin më të suksesshëm në histori, në të cilin arriti që të shpallet kampion për herë të parë në histori, e mbylli me stil, kjo pasi në ndeshjen përmbyllëse para tifozëve të vetë mundi ish kampionët e FC Shkupit me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”.

Pjesa e parë nuk ishte edhe aq e mirë për struganët, që në disa raste lëshonin shumë hapësirë për mysafirët, të cilët në minutën e 28-të shfrytëzuan një moment të tillë dhe përmes Sandej Adetunxhit kaluan në avantazh.

Megjithatë krejt ndryshe foli pjesa e dytë, në të cilën Struga Trim Lum, që nga fillimi i saj u vërsul në sulm, në kërkim të golit, që erdhi vetëm pas 6 minutave lojë në këtë pjesë, kur Marjan Radeski me kokë shënoi një gol mjaft të bukur, pas harkimit të Valentin Koçoskit.

Në minutën e 64-të përmes një moduli të njëjtë, harkim nga rivënia e këndit në shtyllën e parë, Besart Ibraimi nuk arriti të shënojë në rrjetën e Iljazit.

Megjithatë bomberi kërçovarë, atë që nuk e bëni në minutën e 64-të, e bëri 20 minuta më vonë, kur përfitoi nga një devijim i topit, pas goditjes paraprake të kapitenit, Bunjamin Shabani.

Me këtë gol u mbyll edhe takimi i zhvilluar në Strugë, aty ku më pas fillimisht pasoi ceremonia e ndarjes së medaljeve, që më pas edhe ndarja e trofeut të titullit kampion, i pari në historinë e klubit strugan, që do prezantojë vendin tonë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve. (infOSport.mk)

Leave a Reply