Në nisjen e këtij edicioni futbollistik, shumë pak njohës të futbollit mund të parashikonin që në Maqedoninë e Veriut, Struga Trim Lum do të arrinte të thyente dominimin e dy skuadrave tjera shqiptare, Shkëndijës dhe FC Shkupit.
Skuadra e themeluar në dekadën e fundit, falë një sezoni të shkëlqyer i’a doli të kurorëzohej kampione e Maqedonisë së Veriut dy javë para fundit të kampionatit, duke regjistruar suksesin historic.
Një skuadër që e nisi pa shumë pretendime, por me uri dhe dëshirë të madhe për të fituar, arriti që në fazën e parë të tregonte dominimin e saj e të shtronte rrugën drejt titullit kampion.
Struga Trim Lum dje edhe matematikisht festoi titullin e parë në histori, dhe tashmë me plotë të drejtë sheh drejt Evropës.
Megjithatë, buxheti i skuadrës shqiptare të Maqedonisë së Veriut është modeste krahasuar me Shkëndijën dhe FC Shkupin, diçka që na e zbulon drejtori sportiv, Besart Isaku, i cili në emisionin “Zona Gol” në SuperSport tregon për rrugëtimin e skuadrës strugane në këto 8 vite.
“Struga është krijuar në vitin 2015 dhe e ka nisur nga kategoria më e ulët. Gradualisht çdo vit është rritur dhe më në fund ia arritëm atij qëllimi, atij projekti që kishim bërë me drejtuesit dhe më në fund jemi matematikisht kampion.
Kemi pasur rivale Shkëndijën dhe Shkupin, që kanë buxhete shumë më të lartë se ne. Kemi një buxhet të ulët. Nëse Shkëndija e ka 2 mln euro, ne e kemi 400-500 mijë euro. Ja që edhe me këto investime i dilet” – u shpreh fillimisht Besart Isaku.
Drejtori sportiv i Struga Trim Lum thotë se skuadra nuk do të bëjë çmenduri, kur është në pyetje merkatoja, duke zbuluar se do të provojë që të bëhet shembulli ideal se edhe me një buxhet modest mund të arrihet deri te suksesi.
“Buxhetin nuk do ta rris dhe do ta mbaj atë buxhet dhe vitin e ardhshëm do të pretendojmë për titullin. Do t’ia lëmë kohës. Unë do mundohem t’i shtoj paratë, pasi kemi pasur nevojë, pasi e kemi nisur nga zero.
Do ta mbushim arkën ngadalë. Është shpejt për të thënë se do të bëjmë historinë. Ne do të provojmë që të përsërisim hapat e Skënderbeut në Shqipëri apo të Ballkanit në Kosovë” – tha Isaku.
Strategu nga Shqipëria, Shpëtim Duro, udhëhoqi skuadrën drejt titullit kampion. Drejtori sportiv zbulon se përvoja e teknikut tiranas e bindi që t’i besonte një prej emrave më të njohur të futbollit në rajon.
“Ka qenë zgjidhja ime për eksperiencën që ka pasur në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Duro ka bërë një punë të bukur, duke e shpallur dhe matematikisht kampion ekipin. Ne kemi dhe finalen e Kupës së Maqedonisë dhe do të synojmë ta marrim dhe këtë trofe, duke shkruar historinë, që të sjellim dy trofe në Strugë”.
Te Struga Trim Lum besojnë se me pjesëmarrjen e tyre të dytë në arenën ndërkombëtare, këtë herë si kampion, mund të arrijnë të bëjnë historinë në Europë.
“Na duhen disa përforcime, por do të mbarojmë këto dy ndeshje që na kanë mbetur, do të luajmë finalen e Kupës dhe më pas do të ulemi me trajnerin Duro dhe stafin teknik që të kemi një skuadër që të kalojmë sa më shumë ture në Champions. Me shumë gjasa do të bëjmë në Champions atë që bëri Ballkani edicionin e shkuar” – u shpreh Isaku.
Struga Trim Lum ka grumbulluar 62 pikë në 28 ndeshjet e zhvilluara, duke lënë pas vetes FC Shkupin me 55 dhe Shkëndijën me 54 pikë.
Pas titullit kampion, të cilin e festuan mbrëmë deri vonë, skuadra e Struga Trim Lum me 20 maj në Shkup do të tentojë që në Strugë të sjellë edhe trofeun e dytë, atë të Kupës së Maqedonisë, kur do të zhvillojë finalen e madhe përballë skuadrës së Makedonija GP.