Fitore infarkt e Voska Sport në derbin ndaj Vardarit (VIDEO)

Fitore infarkt e Voska Sport në ndeshjen derbi ndaj Vardarit. Edhe pse skuadra e Berat Imerit kishte disavantazh deri në minutën e 90-të, pas një goli të pranuar në fundin e pjesës së parë, falë dy golave të shënuar në kohën shtesë, në fund regjistruam fitore 2:1, njofton “infOSport.mk”.

Pa dyshim ishte kjo fitorja më e ëmbël e këtij sezoni për Voska Sport, skuadër kjo që është shumë afër për të realizuar ëndërrën, inkuadrimin në Ligën e Parë.

Edhe përkundër dominimit të plotë gjatë pjesës së parë, një pakujdesi në mbrojtjen e Voska Sport, bëri që Vardari në pushim të shkojë me epërsi minimale, falë golit të shënuar nga Jorgo Papuli.

Pjesa e dytë sërish foli në tërësi për ekipin e Voska Sport, që përkundër rasteve të shumta, gollin e parë të këtij takimi e realizoi vetëm në minutën e parë shtesë, kur Alen Jasharovski nga afërsia shënoi në rrjetën e Gaçevskit.

Ky gol solli shumë gëzim në mesin e futbollistëve vendas, të cilët morrën krahë dhe vetëm dy minuta më pas me anë të Ermedin Adem shënuan edhe golin e dytë dhe të fitores.

Ishte ky goli i parë për shkupjanin me fanellën e Voska Sport, dhe shumë domethënës, pasi përveç që i siguroi fitoren skuadrës shqiptare nga Ohri, po i afron ata edhe më afër Ligës së Parë.

Pas 25 xhirove, Voska Sport numëron 62 pikë, 4 më shumë se Gostivari i vendit të dytë, derisa Vardari me 56 pikë tashmë renditet në pozitën e tretë. (infOSport.mk)

Leave a Reply