FC Shkupi ka bërë edhe një hap të gabuar në garën për titullin e kampionit, teksa sot në transfertën në Kavadar barazoi pa gola përballë Tikveshit, njofton “infOSport.mk”. Skuadra shkupjane barazoi pa gola, duke u larguar edhe më shumë nga gara për titull.
FC Shkupi pas 28 xhirove numëron 46 pikë, 7 më pak se kryesuesit e Struga Trim Lum, skuadër kjo që deri në fund të kampionatit me shumë gjasa luftën kryesore do ta zhvillojë me Shkëndijën e Tetovës, që në pozitën e dytë numëron 50 pikë.
Skuadra e Qatip Osmanit, të shtunën në Shtip në ndeshjen e parë të kësaj xhiroje mundi Bregallnicën me rezultatin 1:0, falë golit të shënuar nga Klisman Cake.
Fitore minimale edhe për Sileksin dhe Rabotniçkin. Skuadra nga Kratova si vendas mundi Makedonija Gjorçe Petrovin falë golit të Manasievskit që në minutën e tretë, derisa Rabotniçki në Prilep me golin e realizuar nga Kire Markoski (30’) mundi Pobedën.
Ndeshja midis Skopjes dhe Akademia Pandevit, që vendos për mbijetesë, u mbyll me shifrat 1:1. (infOSport.mk)