Voska Sport fiton derbin ndaj Pelisterit në regji të Izair Eminit (VIDEO)

Voska Sport ka regjistruar një ndër fitoret më të rëndësishme të këtij sezoni, duke mundur Pelisterin, një ndër skuadrat pretendente për inkuadrim në Ligën e Parë, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra shqiptare nga Ohri para tifozëve të vetë shënoi fitore 2:0, falë dy golëshit të kapitenit Izair Emini, që realizoi nga një gol në secilën pjesë.

Golin e parë, Emini e realizoi që në minutën e 10-të, kur në mënyrë perfekte ekzekutoi goditjen e lirë, duke vendosur topin pas shpinës së portierit mysafir.

Ky gol ju dha krahë futbollistëve të skuadrës vendase, që mjaft mirë administruan ndeshjen deri në fund, ndërsa në minutën e 77-të, Emini sërish doli në skenë, këtë herë falë një asisti të Alen Jasharovskit, i cili pasi vodhi një top shumë pranë zonës kundërshtare, pasoi për kapitenin e tij, i cili nuk fali dhe me të djathtën e tij shënoi edhe një gol tjetër, që ishte i mjaftueshëm për fitoren e madhe të Voska Sport.

Deri në fund të takimit, mysafirët në pamundësi për të ndërtuar lojë, mbetën me 10 futbollistë në fushë, pas përjashtimit me të kuq të Bllagoja Ljamçevskit në minutën e 87-të, ndërsa krejt në fund, në minutat shtesë, veterani nga rradhët e skuadrës mysafire, Borçe Manevski nga penaltia shënoi golin e nderit për Pelisterin, që në fund vlente vetëm për statistikë.

Me këtë fitore, Voska Sport sërish rikthehet në pozitën e dytë me 50 pikë të tubuara, dy më pak se lideri Vardari, ndërkohë Pelisteri me 43 pikë mbetet në pozitën e katërt. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply