Voska Sport gjatë ditës së sotme do të zhvillojë një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Skuadra shqiptare nga Ohri në ndeshjen e fundit të javës së 21-të në Ligën e Dytë do të mirëpret Pelisterin, një skuadër tjetër kjo pretendente për inkuadrim në Ligën e Parë, njofton “infOSport.mk”.
Dhe duke parë rëndësinë e këtij takimi, Voska Sport kërkoi nga Federata e Futbollit në vend që golashënuesi i tyre më i mirë, Behar Fetai, që ishte ftuar nga Dragan Kanatllarovski për ndeshjet kontrolluese që shpresat e vendit do ti zhvillojnë në Antalia të Turqisë, të udhëtojë vetëm gjatë ditës së sotme drejt tokës turke, edhe atë pasi të zhvillojë ndeshjen ndaj Pelisterit.
Kjo kërkesë e drejtuesve të Voska Sport hasi në përgjigje pozitive nga ana e Federatës së Futbollit, që është përkujdesur për udhëtimin e Fetahit, i cili pa dyshim se do të jetë një ndihmesë e madhe për Voska Sport në ndeshjen e sotme ndaj skuadrës nga Manastiri, por gjithsesi se i njëjti pritet të ndihmojë edhe shpresat e vendit në turneun në Antalia të Turqisë, aty ku Maqedonia U21 do të zhvillojë tre ndeshje kontrolluese, ndaj ekipeve përfaqësuese, si Letonia (23 mars), Finlanda (25 mars) dhe Sllovakia (28 mars).