Goce Sedlloski edhe zyrtarisht është larguar nga rradhët e FC Shkupit, me të cilën skuadër edicionin e kaluar arriti që të shpallet kampion në elitën e futbollit vendor. Është kjo hera e dytë që Sedlloski largohet brenda këtij sezoni nga rradhët e skuadrës “blu” nga Çairi, mirëpo këtë herë shkon për tu mos u kthyer.
Sedlloski drejtimin e FC Shkupit e morri me 16 prill të vitit 2021, për tu larguar më 31 gusht të vitit 2022, mirëpo nuk vonoi shumë dhe i njëjti u rikthye me 9 shtator të njëjtit vit, duke drejtuar skuadrën nga Çairi edhe në 17 ndeshje tjera, duke regjistruar 10 fitore, 5 barazime dhe 2 disfata.
Këto disfata erdhën në 5 ndeshjet e tij të fundit, ku realizoi edhe dy barazime të tjera dhe vetëm një fitore.
Ishte ky epilogu i 5 ndeshjeve të stinorit pranveror, që FC Shkupin e shohin vetëm në pozitën e 7-të, nëse llogarisim këtu pikët e fituara në pjesën e dytë të sezonit 2022/2023.
Pikërisht 5 pikët e fituara në këto 5 ndeshje, bënë që drejtuesit e skuadrës të humbasin besimin te strategu 48-vjeçar, i cili gjatë karrierës së tij si trajner kishte udhëhequr edhe Horizont Turnovën, Vardarin, Riga FC, Shiroki Brijeg dhe Dinamo Zagreb II.
Pasi tashmë pason pauzë në kampionatin vendor, drejtuesit e FC Shkupit kanë hapësirën e duhur për tu menduar mirë për pasaardhësin e Sedlloskit, derisa informacione të “infOSport.mk”, flasin se shumë pranë bankinës së skuadrës nga Çairi, është strategu kosovar, Ismet Munishi, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia që te kjo skuadër të rikthehet edhe Ardian Nuhiu. (infOSport.mk)