Dy gola të Erald Çinarit i dhanë fitoren fitoren 2:1 Shkëndijës përballë Akademia Pandevit në ndeshjen e vlefshme të javës së 23-të në Ligën e Parë të futbollit në vend, njofton “infOSport.mk”. Në këtë mënyrë “kuqezinjtë” regjistruan edhe fitoren e dytë me rradhë dhe të tretën të njëpasnjëshme në terren vendas, duke i shkaktuar në anën tjetër disfatën e parë skuadrës së Akademia Pandev në pjesën pranverore.
Ndeshja e zhvilluar në Tetovë nisi me matje të forcave dhe përkundër faktit se Shkëndija po impononte dominim në posedim të topit përballë një kundërshtari që në vijën e fundit kishte reshtuar 5 futbollistë, megjithatë aksionin e parë serioz e sollën futbollistët e Akademia Pandevit kur me disa kombinime të bukura arritën para portës, derisa Trajkov çoi topin në rrjetë, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtëloje.
Shkëndija në vazhdim mori kontrollën e lojës dhe kërkonte mënyrë për të çarë mbrojtjen e ngjeshur të miqve. Shala solli kanosjen e parë, por pa shqetësuar seriozisht portierin mysafir, Alçevski.
Barazpesha do të prishej në minutën e 30-të kur Cake me top të gjatë shërbeu Çinarin në zonën kundërshtare, ndërsa sulmuesi pasi zbriti topin me gjoks, lëshoi një të majtë precize për epërsi 1:0 dhe delirium në tribuna.
Miqtë shkuan pranë barazimit dhjetë minuta më vonë kur e majta e Dimovskit shkoi pranë portës së Taleskit, derisa kur ekipet bëheshin gati të shkojnë në pushim kuqezinjtë sollën golin e dytë.
Hasani me kokë i dha vazhdimësi një askioni, ndërsa Shala me shpejtësi depërtoi në krahë dhe harkoi para portës, ku Çinari me kokë dyfishoi epërsinë me golin e dytë personal dhe të tretin me fanellën e Shkëndijës.
Mysafirët të pakënaqur me negativën e dy golave gjatë 45 minutave të para, në pjesën e dytë me disa ndryshime kërkuan të kthehen në lojë, duke ndryshuar edhe vendosjen taktike në fushë. Shkëndija lëshoi disa sulme për gol të tretë, derisa u ndëshkuam në anën tjetër kur sulmuesi gjeorgjian, Mikheili Ergemlidxhe ngushtoi rezultatin në 2:1 (65’).
Të entuziazmuar nga goli miqtë tentuan të sulmojnë për barazim, mirëpo kuqezinjtë u mbrojtën me sukses, derisa me dy-tre super intervenime u shfaq edhe portieri Davor Taleski, i cili po vazhdon të jetë zgjidhja e parë e trajnerit Qatip Osmani në ndeshjet e stinorit pranveror.
Në fund fitore dhe 3 pikë të reja për Shkëndijën që ngushton diferencën me kreun. (infOSport.mk)