Shkëndija rikthehet në identitet, pas më shumë se 3 muajve shënon 3 gola në një ndeshje (VIDEO)

Shkëndija e Qatip Osmanit ka regjsitruar edhe fitoren e dytë të njëpasnjëshme si vendase në gjysmësezonin pranveror, duke mundur me shifrat bindëse 3:1 Rabotniçkin në kuadër të xhiros së 22-të në Ligën e parë, njofton “infOSport.mk”.

Me këtë fitore, por edhe me lojën e treguar para publikut tetovar, Shkëndija po rikthehet në identitet, ndërsa gëzon fakti se kjo skuadër pas pak më shumë se tre muajsh shënon 3 gola në një ndeshje.

Për herë të fundit, një gjë të tillë Shkëndija kishte bërë me 4 dhjetor të vitit të kaluar, kur në stadiumin e Gjorçe Petrovit në Shkup, kishte mundur Makedonija Gj.P e Muharem Bajramit me rezultatin 3:1.

Përveç 3 golave dhe 3 pikëve të arkëtuara nga ndeshja me Rabotniçkin, gëzon fakti se te skuadra “kuqezi” janë zhbllokuar dy prurjet e reja, sulmuesi Nasko Milev dhe mesfushori Mustafa Mujezinoviç, të cilët bashkë me mbrojtësin Klisman Cake ishin autorët e golave për Shkëndijën.

Ndryshe fitorja e së dielës ndaj “romantikëve”, ishte e 9-ta për Shkëndijën, skuadër kjo që pas 22 xhirove të sezonit të rregullt, renditet në pozitën e tretë me 35 pikë, 3 më pak se FC Shkupi i vendit të dytë dhe plotë 7 më pak se liderët e Struga Trim Lum.

Në kuadër të xhiros së 23-të, që në program është fundjavën e ardhshme, Shkëndija në Tetovë do të mirëpret skuadrën e Akademia Pandevit. (infOSport.mk)

Leave a Reply