Sulmuesi me origjinë nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, Taulant Seferi, është përzgjedhur nga trajneri Silvinjo për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare për ndeshjen e parë ndaj Polonisë në kuadër të eliminatoreve për Europianin e vitit 2024, përcjellë “infOSport.mk”.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi i tij, Vorskla Poltava në Ukrainë. Pas performancave të shkëlqyera me fanellën e kësaj skuadre, ish-sulmuesi i Tiranës dhe Rabotniçkit do të ftohet sërish në Kombëtaren shqiptare për të ndihmuar “kuqezinjtë” në arritjen e objektivave në këto eliminatore që startojnë tani në muajin mars.
Taulant Seferi me kombëtaren shqiptare kishte debutuar me 14 nëntor në ndeshjen kundër Andorrës, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2020(1), kur ishte ftuar nga italiani Edoardo Reja, ndërsa i njëjti numëron 10 paraqitje dhe 1 gol të shënuar.
Kujtojmë, Shqipëria në eliminatoret e Euro 2024 bënë pjesë në grupin “E”, së bashku me Poloninë, Republikën Çeke, Moldavinë dhe Ishujt Faroe.
Strategu brazilian debutimin e tij në një ndeshje zyrtare do ta ketë me datë 27 mars kundër favoritëve të grupit, Polonisë. (infOSport.mk)