Voska Sport ka shënuar fitore 4:0 përballë skuadrës nga Kamenica, Sasa, në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të në Ligën e Dytë, njofton “infOSport.mk”.
Edhe në këtë ndeshje në element te skuadra shqiptare nga Ohri doli të jetë shkupjani, Behar Fetahi, i cili realizoi dy gola, nga një në secilën pjesë.
Gjatë pjesës së parë në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Fiton Ademi, për të cilin ishte ky goli i tretë nga po aq ndeshje të zhvilluara me fanellën e skuadrës së Voska Sport, pas transferimit të tij gjatë merkatos së dimrit nga rradhët e Besës së Dobërdollit, derisa një gol tjetër, realizoi edhe Besart Rexhepi.
Për Voska Sport, fitorja e sotme ishte e 13-të këtë edicion, pas 18 xhirove të zhvilluara, duke kryesuar renditjen me 43 pikë, po aq sa kanë edhe Gostivari dhe Vardari në pozitat dy dhe tre.
Voska Sport njëherit mund të lëvdërohet edhe si skuadra me më shumë gola të shënuar, gjithsej 49, ndërsa nga po kjo skuadër vjen edhe golashënuesi më i mirë në Ligën e Dytë, Behar Fetahi, i cili ka realizuar 15 gola. (infOSport.mk)