Pas transferimit te Dinamo Kiev, Ramadani: Faleminderit Shkëndijë, faleminderit “Ballistë”

Si çdo i ri tetovar, ashtu edhe Reshat Ramadani, e kishte pasur ëndërr  të luaj një ditë për Shkëndijën. Ëndërra e tij ishte bërë realitet më 19 shtator të vitit 2021, kur kishte debutuar me ekipin e parë si 18-vjeçar, ndërsa pas 16 muajve i njëjti tashmë transferohet te gjigandët ukrainas të Dinamo Kiev, shkruan “infOSport.mk”.

Vërtetë një hap shumë i bujshëm në karrierën e Reshat Ramadanit, i cili kishte shkruar një letër tepër emocionuese, drejtuar Shkëndijës dhe “Ballistëve”.

Shkrimi i plotë i Reshat Ramadanit, i cili pasditën e sotme u prezantua te skuadra gjigande e Ukrainës, Dinamo Kiev:

Është shumë e çuditshme të shkruaj për largim nga klubi ku kisha ëndërr të luaj. Një ëndërr e realizuar në moshë shumë të re dhe që më bën jashtëzakonisht krenar mua dhe familjen time.

E kam të vështirë të them se largohem nga klubi im i zemrës, mirëpo ky profesion sjell situata si kjo, fatmirësisht me levërdi edhe për mua edhe për Shkëndijën. Unë transferohem për të provuar veten në një nivel më lartë me shpresë për të përparuar në karrierë, derisa klubi përfiton nga largimi im dhe ky fakt më bën shumë krenarë.

Me këtë rast dua të falemenderoj çdo person me të cilin kam punuar gjatë kësaj periudhe te Shkëndija, trajnerët nga i pari e deri te i fundit, bashkëlojtarët te moshat e ekipi i parë. Faleminderit për çdo të punësuar në klub, ekipin mjekësor, logjistik, administratë, kryesi dhe pronarët e klubit. Falemenderim dhe mirënjohje pa fund për tifozerinë e mrekullueshme tetovare me “Ballistët” në krye që ishin mbështetje e madhe për mua në momentet më të nevojshme.

Shkëndijës i uroj shumë suksese në të ardhmen, fitore dhe tituj që ky klub dhe kjo tifozeri padyshim se i meritojnë. Unë do jem tifoz i madh nga distanca.

Tani është koha për një aventurë të re.

Me shumë respekt e dashuri,

 

Leave a Reply