Real Madridi ka shënuar fitore të madhe dhe spektakolare në përballjen e parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve kundër Liverpullit, njofton “infOSport.mk”.
Edhe përkundër disavantazhit 2:0 pas 14 minutave lojë, në fund Reali i Madridit shënoi fitore të thellë 5:2, duke bërë një hap të madh drejt ndeshjeve çerekfinale.
Serinë e golave e hapi Darvin Nunjesh vetëm pas 4 minutave lojë, ndërsa në minutën e 14-të pas një gabimi trashanik të portierit Kurtua, egjiptiani Mohamed Sallah shënoi edhe golin e dytë për Liverpullin.
Megjithatë kjo ishte e tëra që bëri skuadra e Jurgen Kllop në këtë ndeshje, pasi vazhdimi u takoi “madrilenëve”, të cilët në minutat në vijim nisën ofenzivën e tyre.
Vinicius Junior fillimisht e ngushtoi epërsinë e vendasve në minutën e 21-të, ndërsa i njëjti arriti të shënojë edhe golin e dytë personal në minutën e 36-të, falë gabimit të madh të portierit Alison Beker.
Pjesa e dytë në tërësi foli për Realin e Madridit, skuadër kjo që realizoi 3 gola. Vetëm pas dy minutave lojë në pjesën e dytë, Militao me kokë shënoi edhe golin e tretë për Realin, duke kaluar për herë të parë në avantazh skuadrën spanjolle, tek e cila në minutat në vazhdim në skenë doli kapiteni Karim Benzema, duke shënuar dy gola të njëpasnjëshëm në minutat 55 dhe 67.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas tri javësh në stadiumin “Santiago Bernabeu”. (infOSport.mk)