Srgjan Zaharievski: Barazimi në Kavadar ishte real

Kampionët e vjeshtës të Struga Trim Lum në elitën e futbollit vendor, stinorin pranveror e nisën me barazim. Skuadra e Zaharievskit barazoi 1:1 në transfertën në Kavadar përballë Tikveshit, ndërsa i njëjti pas përfundimit të ndeshjes në prononcimin e zakonshëm për faqen zyrtare të klubit, tha se rezultati përfundimtarë ishte edhe epilogu real.

“Së pari urime për të gjithë aktorët e ndeshjes, që për mendimin tim ishte mbi mesataren e futbollit tonë. Fillimisht dua ti uroj ekipet në aspektin e luftës në fushë, aksioneve, rasteve dhe mbi të gjitha golave të bukur, e ku vlen të theksohet ai i lojtarit tonë, Valentin Koçoski. Mund të them që patëm më shumë nga loja dhe krijuam raste, por kur në fund bëjmë një përmbledhje mendoj se barazimi është epilogu real, duke pasur parasysh se gjatë pjesës së parë ishim në disavantazh” – u shpreh trajneri i skuadrës strugane, Srgjan Zaharievski.

Golin e vetëm për Struga Trim Lum në këtë ndeshje, dhe ndoshta edhe më të bukurin e javës e realizoi Valentin Koçoski, i cili në lojë u inkuadrua gjatë pjesës së dytë.

Javën që vjen Struga Trim Lum në terren vendas do të mirëpret Makedonija GJ.P e Muharem Bajramit. (infOSport.mk)

Leave a Reply