Nuk “dhezi” te Shkëndija, Stojanovski vazhdon karrierën në Bullgari

Vlatko Stojanovski erdhi me shumë bujë te Shkëndija, mirëpo i njëjti u largua pas vetëm 7 muajve, edhe atë pas insistimit të drejtuesve “kuqezi”, të cilët nuk llogarisnin në shërbimet e tij për stinorin pranveror.

Stojanovski në pjesën vjeshtore me Shkëndijën u paraqit në 14 ndeshje, duke realizuar vetëm dy gola, edhe atë ndaj Rabotniçkit në Shkup, ndërsa një gol tjetër kishte realizuar në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës kundër Skopjes.

Gjithsej 15 ndeshje dhe vetëm 3 gola për një sulmues që kishte provuar veten edhe në elitën e futbollit francez, ishin tregues jo i mirë, ndaj dhe drejtuesit e Shkëndijës dëshironin që të lirohen nga shërbimet e tij, kjo edhe për shkak pagës së lartë që kishte.

Pas largimit nga Shkëndija, disa media vendore e çuan Stojanovskin te FC Shkupi, mirëpo i njëjti gjatë ditës së sotme u prezantua te skuadra bullgare e Septemvri Sofje, që garon në Ligën e Parë. Te kjo skuadër Stojanovski do të bashkohet me ish futbollistin e Shkëndijës dhe FC Shkupit, Konstantin Ceshmexhiev.

Për 25-vjeçarin Stojanovski do të jetë kjo hera e tretë që do të luaj jashtë Maqedonisë, pas aventurave që kishte në Francë me skuadrat e Nim dhe Shambli si dhe në Kroaci me skuadrat si Gorica, Dugopolje dhe RNK Split, teksa i njëjti në futbollin vendor, përveç me Shkëndijën, kishte luajtur edhe me Renovën dhe Metalurgun. (infOSport.mk)

Leave a Reply