Izair Emini pas paraqitjeve të tij të shkëlqyeshme me fanellën e Kukësit në kampionatin e fundit si dhe në ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve, në veçanti në ndeshjen e dytë të zhvilluar në “Elbasan Arena” ndaj Sherif Tiraspol, ka zgjaur interesim të disa skuadrave, përfshirë këtu si ato në kampionatin shqiptarë, por edhe në kampionatin tonë vendor.
Është Shkëndija që dëshiron të rikthejë futbollistin e saj në Tetovë, derisa në Shqipëri, është skuadra e Partizanit, ajo që dëshiron të bëjë për vete numrin 8-të, të Kukësit.
Edhe pse vetë lojtari pretendon se me përfundimin e ndeshjeve në Evropë, i përfundon kontrata me Kukësin, këta të fundit pretendojnë që i kanë rinovuar kontratën, pa paralajmërim, në bazë të klauzolave pa fund që i kanë futur në kontratën me futbollistin tetovarë.
E gjithë kjo sjellë mjaft paqartësi rreth të ardhmes së Eminit, i cili pjesë e Kukësit është nga janari i vitit 2016-të, ndërsa brenda kësaj periudhe ai me kampionët në fuqi të Shqipërisë ka zhvilluar 53 ndeshje, duke realizuar edhe 18 gola.
31-vjeçari brenda një viti e gjysmë me fanellën e Kukësit, arriti që ti fitoj të tre titujt e mundshëm, titullin kampion, Kupën si dhe SuperKupën e Shqipërisë.