Sulmuesi i Partizanit të Tiranës, Xhuliano Skuka, ka bërë një hap të madh në karrierën e tij, teksa sot është prezantuar me fanellën e skuadrës së njohur franceze të FC Metz, që në historikun e saj ka fituar dy trofe të Kupës së Francës dhe dy Kupa të Ligës.
Transferimi i sulmuesit 24 vjeçar është arritur për një shifër rekord jo vetëm për tregun shqiptar, por edhe në rajon.
Drejtuesit e skuadrës së Metz, që aktualisht garon në Ligue 2, për shërbimet e sulmuesit dibran kanë paguar plotë 1 milion euro, ndërsa në transferimin e këtij të fundit ka ndërmjetësuar menaxheri i Dibrës së Maqedonisë, Shkumbin Qormemeti.
Vlen të theksohet se drejtuesit e Partizanit kanë bërë një punë të shkëlqyer në këtë transferim, duke pasur parasysh se kanë arritur të mbajnë edhe 20% të kartonit të lojtarit në transferimin e ardhshëm, ndërkohë që janë përkujdesur që edhe kontrata e lojtarit të jetë në kushtet më optimale të mundshme.
Skuka, i cili për disa vite ka jetuar në Francë dhe njeh mirë gjuhën frenge, te skuadra e Metz do të mbajë veshur fanellën me numër 11. Si duket edhe kjo ka ndikuar në vendimin e vetë futbollistit, për shërbimet e të cilit interes kishin shfaqur edhe disa skuadra nga Serie A.
Kujtojmë, falë paraqitjeve të shkëlqyeshme me fanellën e Partizanit, Skuka së fundmi morri edhe ftesën nga Edi Reja te Kombëtarja shqiptare, për të cilën tashmë numëron 4 ndeshje dhe 1 gol të shënuar.
Stinorin vjeshtorë në Superligën shqiptare, Skuka e mbylli me 10 gola të shënuar në 17 ndeshje, ndërsa gjithashtu kishte realizuar edhe 3 gola në po aq ndeshje të zhvilluara në kuadër të Kupës së Shqipërisë. (infOSport.mk)