Sezoni i ri mbrojtësin e krahut të majtë, Xhelil Abdullah, me shumë gjasa do ta gjejë me një skuadër të re. Siç mëson “infOSport.mk”, Abdullah gjatë kësaj merkatoje pritet të largohet nga rradhët e FC Shkupit, derisa në adresë të mbrojtësit tetovar kanë ardhur disa oferta tërheqëse, e që kanë të bëjnë me klube shqiptare nga vendi.
Fjala është për dy skuadrat pretendente për inkuadrim në Ligën e Parë, Gostivarin dhe Voska Sport. Që të dyja skuadrat kanë shprehur haptaz dëshirën për të marrë këtë lojtar në rradhët e tyre, por mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi përfundimtarë i vetë futbollistit nga Tetova.
Burime pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se më pranë nënshkrimit të tij, është KF Gostivari, skuadër kjo që stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e parë në Ligën e Dytë dhe me plotë të drejtë konsiderohet si një ndër pretendentët kryesor për inkuadrim në Ligën e Parë, aty ku pretendon që të luaj edhe Voska Sport, që pas pjesës së parë të sezonit 2022/23 ngeci vetëm 3 pikë larg Gostivarit.
Abdullah gjatë verës së kaluar iu bashkua skuadrës nga Çairi, kur erdhi si lojtarë i lirë nga rradhët e Renovës. Ai me skuadrën e FC Shkupit luajti edhe në ndeshjet europiane, fillimisht në ato eliminatore të Ligës së Kampionëve, pastaj në ato të Liga Europa si dhe në ndeshjen e “play-off” të Ligës së Konferencës, kur përballë Ballkanit nga Kosova në Prishtinë, u ndëshkua me të kuq vetëm pas dy minutave lojë.
Sa i përket kampionatit, Abdullah në Ligën e Parë me fanellën e FC Shkupit zhvilloi 7 ndeshje, duke asistuar edhe në një gol.
Ndryshe pjesën më të madhe të karrierës së tij, Abdullah e kaloi në vendlindjen e tij në Tetovë, duke luajtur te Renova dhe Shkëndija, nga e cila skuadër verën e vitit 2011-të ishte transferuar në futbollin holandez te skuadra e De Grafshap, që më pas të luaj edhe në Gjermani me skuadrën e Duisburg, ndërkohë një aventurë jo të plotë 6 mujore kishte pasur edhe në futbollin kosovar, duke veshur fanellën e Llapit. (infOSport.mk)