Fisnik Zuka dhe Makedonija GJ.P kanë ndërprerë bashkëpunimin para kohe. Që të dyja palët një gjë të tillë e arritën me marrëveshje, duke ndarë kështu rrugët vetëm pas 6 muajsh, edhe pse kontrata mes palëve ishte valide deri në fund të sezonit, njofton “infOSport.mk”.
Zuka skuadrës nga Gjorçe Petrovi iu bashkua qershorin e këtij viti, kur kishte arritur nga rradhët e Renovës. Mbrojtësi i majtë këtë edicion me Makedonija GJ.P zhvilloi gjithsej 17 ndeshje, 2 prej të cilëve në Ligën e Konferencës.
Kujtojmë, Zuka është një prodhim i shkollës së FC Shkupit, me të cilën skuadër kishte luajtur edhe në Ligën e Parë, ndërsa i njëjti ka luajtur dhe me Rabotniçkin, kur janë në pyetje skuadrat nga kryeqendra jonë, derisa jashtë vendit kishte luajtur me Flamurtarin e Vlorës.
Zuka nuk përjashton mundësinë për të luajtur sërish jashtë vendit, përfshirë këtu Shqipërinë, apo Kosovën, edhe pse përparësi për momentin i jep kampionatit vendor, aty ku numëron gjithsej 165 ndeshje. (infOSport.mk)