FC Shkupi ka shënuar fitore 4:2 përballë Rabotniçkit në ndeshjen e fundit të vitit 2022, duke mbajtur hapin me Struga Trim Lum në garën për titullin e kampionit, raporton “infOSport.mk”.
Skuadra e Goce Sedlloskit ishte superiore në këtë përballje, mirëpo në disa momente vërehej edhe një rënie, sidomos në repartin e mbrojtjes, gjë të cilën e shfrytëzoi më së miri një ndër futbollistët më të mirë të Rabotniçkit, Metodi Maksimov, i cili në dy raste arriti që të shënojë në rrjetën e Naumovskit.
Megjithatë dy gola para tij realizoi sulmuesi nigerian, Sandej Adetunxhi, i cili u rikthye tek goli sërish, pas 3 ndeshjeve pa shënuar fare.
25-vjeçari shtatëlartë golin e parë e realizoi që në minutën e 7-të, kur mjaft mirë pranoi një top nga Trapanovski para zonës kudnërshtare, ndërsa pa shumë vështirësi me mjaft mjeshtëri mposhti Aleksovskin e Rabotniçkit.
Ky i fundit kapituloi sërish para nigerianit në minutën e 21-të, kur sërish pranoi një assist nga ana e Trapanovskit, që pa dyshim se ishte një ndër figurat kryesore të këtij takimi.
Trapanovski vazhdoi me asistimet e tij sërish, teksa në minutën e 40-të, në tentativë për të asistuar deri tek algjeriani, Hamidi, qëlloi futbollistin kundërshtarë Fatih Ismailin, duke e detyruar këtë të fundit që të shënojë në rrjetën e tij.
Me rezultatin 3:0 u mbyll pjesa e parë, mirëpo nuk ishin mbyllur edhe ambiciet e Rabotniçkit, më konkretisht thënë të sulmuesit të talentuar të “romantikëve”, 20-vjeçarit Metodi Maksimov, i cili thuajse nga e njëjta pozita dy herë brenda 9 minutave mposhti portierin Naumovski, për të bërë ndeshjen edhe më interesante, pasi në minutën e 63-të, FC Shkupi kishte vetëm një gol epërsi dhe në ato momente nuk e kishte të sigurtë fitoren.
Megjithatë të gjitha dilemat i mbylli futbollisti më i mirë në fushë, Kristijan Trapanovski, i cili pas 3 asisteve, në minutën e 79-të arriti që edhe të shënojë, duke i siguruar fitoren e 10-të sezonale skuadrës nga Çairi, që me 34 pikë e mbylli në pozitën e dytë pjesën e parë të sezonit 2022-2023, ku sërish shihet si një ndër pretendentët kryesor për të fituar edhe njëherë tjetër titullin kampion. (infOSport.mk)