Brazili është çerekfinalisti i tretë në kuadër të Botërorit “Qatar 2022”, pasi sonte në stadiumin 974 mundën Korenë e Jugut me shifrat 4:1, njofton “infOSport.mk”.
Brazilianët thjeshtë vallëzuan sonte ndaj jugkoreanëve, derisa fitoren e siguruan që në 45 minutat e para, kur edhe i shënuan që të gjithë 4 golat.
Me lojën e shfaqur sonte, “kariokët” na rikujtuan në vitet e tyre më të mira, kur futbolli Brazilian ishte simboli i lojës së bukur. Në çerekfinale Brazili do të takohet me Kroacinë, skuadër kjo që më herët eliminoi Japoninë vetëm pas ruletit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 1:1.
Vinicius i Real Madridit hapi serinë e golave që në minutën e 7-të, ndërkohë Nejmar në minutën e 13-të nga penaltia shënoi golin e tij të parë në kuadër të Botërorit “Qatar 2022”, duke regjistruar në këtë mënyrë golin e tij të parë personal.
Riçarlison ngriti epërsinë e Brazilit në 3:0 në minutën e 29-të, derisa Lukas Paleta në minutën e 36-të shënoi edhe golin e katërt, duke bërë që jugkoreanët në ato momente ndoshta të humbisnin shpresat për një rezultat pozitiv.
Golin e nderit dhe të vetëm për Korenë e Jugut në këtë ndeshje e realizoi rezervisti, Song-Ho Pajk në minutën e 76-të. (infOSport.mk)