UEFA ka zyrtarizuar ditën e sotme agjendën për ndeshjet e turit të tretë eliminator të Liga Europa, midis Shkëndijës së Tetovs dhe Trakait.
Ndeshja e parë do të zhvillohet në Lituani me datë 27 korrik, në orën 18:30, në stadiumin “LFF” të kryeqytetit Vilnius, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet me 3 gusht në stadiumin e Strumicës. Ende nuk është përcaktuar koha e zhvillimit të ndeshjes, që me shumë gjasa do të jetë i njëjti, sikurse edhe dy ndeshjet e para që Shkëndija i zhvilloi në këtë stadium ndaj Daçias dhe Helsinkit (18:00).
Është ky ndoshta një lëshim i rradhës nga ana e UEFA-s që dërgon “kuqezinjtë” e Tetovës sërish në Strumicë, mirëpo jo edhe Vardarin, që ndeshjen e turit të tretë eliminatorë të Ligës së Kampionëve ndaj Kopenhagenit do ta zhvillojë në “Telekom Arena” në Shkup.
Arsyeja e vetme për të cilën UEFA ka vendosur kështu është edhe fakti se vetëm 5 ditë më pas në impiantin e Shkupit do të zhvillohet ndeshja finale e Superkupës së Evropës, midis Realit të Madridit dhe Mançester Junajtedit.
Ndryshe Vardari ndeshjen në “Telekom Arena” do ta zhvillojë me datë 25 korrik me fillim në ora 20:00.