Maqedonia U19 e udhëhequr nga Nexhat Shabani me fitore mbylli turneun kualifikues në Shkup

Përfaqësuesja e Maqedonisë U19, që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Nexhat Shabani, me fitore ka mbyllur turneun kualifikues që u mbajt gjatë këtyre ditëve të kaluara në Shkup, njofton “infOSport.mk”.

Në ndeshjen e fundit të këtij turneu, i vlefshëm për kualifikim në fazën elitare të eliminatoreve për Europianin e vitit 2023-të që do të mbahet në Maltë, Maqedonia U19 shënoi fitore 2:0 ndaj San Marinos, skuadër kjo që në konkurrencë edhe të ekipeve kombëtare si Serbia dhe Norvegjia, e mbylli grupin me 0 pikë.

Trajkov, ishte futbollisti i cili shënoi golin e parë për të besuarit e Shabanit në minutën e 36-të, derisa golin e fitores dhe sigurisë në momentet e fundit të ndeshjes, e realizoi futbollisti i talentuar i Shkëndijës, Zani Nazifi, që tashmë ka debutuar edhe për ekipin e parë nga Tetova.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, që u zhvillua në stadiumin e Gjorçe Petrovit, Serbia mundi Norvegjinë me rezultatin 2:0, duke siguruar kështu pozitën e parë dhe kualifikimin për në “Elite Round”. (infOSport.mk)

Leave a Reply