Shkëndija e Haraçinës, një emër me peshë në futbollin vendor, që po rikthehet në identitet!

Shkëndija e Haraçinës pa dyshim se është një emër i njohur në futbollin tonë vendor. Edhe pse kjo skuadër asnjëherë nuk arriti të luaj në elitën e futbollit vendor, lirisht mund të themi se ishte një fabrikë e prodhimit të futbollistëve kualitativ, që më pas bënë karrierë nëpër skuadra të tjera, në veçanti te ish Slloga Jugomagnati, apo tashmë FC Shkupi, shkruan “infOSport.mk”.

Pa dyshim se një ndër ata futbollistë të dalë nga kjo shkollë janë edhe vëllezërit Nuhiu, Arbeni dhe Ardiani. Ky i fundit në mënyrë të shkëlqyer po e bënë zejën e trajnerit me Dritën e Gjilanit, me të cilën skuadër është shpallur edhe kampion, ndërsa mbi të gjitha falë tij, futbolli kosovar po njihet dhe po respektohet edhe nga ekipet ndërkombëtare.

Ndërkohë sa i përket Arbenit, i cili kishte edhe një karrierë të bujshme futbollistike ndërkombëtare, duke luajtur me Hajdukun e Splitit dhe Beverenin belg, ky i fundit aktualisht po luan rolin e ndihmës trajnerit të Goce Sedlloskit te FC Shkupi, skuadra ku kishte kaluar momentet më të mira në futbollin vendor.

Mirëpo kur përmendet Shkëndija e Haraçinës, assesi nuk përfundon këtu lista e futbollistëve të suksesshëm, pasi nga kjo skuadër kanë dalë mjeshtër futbolli si Hevzi Aliu, Hixhret Jusufi, Zekirja Ramadani, Masar Omeragiç, Rahman Hasallari, Xhenan Hajdari, Samir Shabani, Ramadan Gashi, etj (kërkojmë ndjesë nëse kemi harruar dikë pa përmendur).

Shkëndija e Haraçinës, gjeneratat më të vjetra me siguri se e kujtojnë me mallë, ndoshta viteve të 90-ta ka luajtur futbollin më të mirë në Maqedoni, falë dyshes Nuhiu-Aliu, por që sistemi i atëhershëm i këtij shteti ku jetojmë, ishte kundër një Shkëndije të fuqishme dhe kundër një Shkëndije që do luante në Ligën e Parë, edhe pse kjo skuadër kishte arritur edhe deri në gjysmëfinale të Kupës të luaj gjatë historikut të saj më të lavdishëm, ndërsa askush nuk mund ta harrojë atë ndeshje të madhe kundër Makedonija GJ.P, në lagjen e Gjorçe Petrovit, kur një numër i madh, apo thuajse asnjë tifoz i Shkëndijës nuk u la për tu futur brenda stadiumit, edhe pse e njëjta ndeshje kishte peshën e Ligës së Parë.

Ndërkohë sot, Shkëndija e Haraçinës, e bashkuar sërish më shumë se kurdoherë viteve të fundit, me shumë sukses po garon në Ligën Komunale të Gazi Babës, aty ku nuk po njeh kundërshtarë.

Thjeshtë djelmoshat “kuqezi” nga Haraçina po vallëzojnë ndaj secilit kundërshtarë, përfshirë këtu edhe rivalin kryesor ndoshta për vendin e parë, ekipin e Goce Dellçev, ndaj së cilës skuadër kishin shënuar fitoren më të thellë të këtij sezoni, 8:0.

Ishte kjo ndeshja e xhiros së katërt, ndërkohë vlen të theksohet se pas 6 xhirove të zhvilluara deri më tani, Shkëndija e Haraçinës ka regjistruar po aq fitore, duke udhëhequr renditjen tabelare me 18 pikë, 3 më shumë se ekipi i Goce Dellçev që mban pozitën e dytë. Mbi të gjitha, Shkëndija e Haraçinës ka një gol-averazh impresionues, 26:3.

Pra plotë 26 gola të shënuar nga djelmoshat “kuqezi” të Haraçinës në vetëm 6 ndeshje, apo nga 4.3 gola për ndeshje.

 

Liga Komunale, Gazi Babë – Sezoni 2022/23
Ndeshjet e KF Shkëndijës së Haraçinës
KF Shkëndija Haraçinë 4:1 Marino
Rzhanico 1:4 KF Shkëndija Haraçinë
KF Shkëndija Haraçinë 2:0 Mralino
Dolno Konjare 1:4 KF Shkëndija Haraçinë
KF Shkëndija Haraçinë 8:0 Goce Dellçev
FK Milladinovci 0:4 KF Shkëndija Haraçinë
KF Shkëndija Haraçinë (27.11) KF Bujkovci

Bajrakun e golave të shënuar e mban Jasir Beqiri, me 11 gola të shënuar, duke qenë violina e parë e “kuqezinjëve” këtë edicion në misionin për tu inkuadruar në Ligën e tretë, fillimisht, e më pas me një riorganizim të mirë, pse jo edhe më lartë.

Bashkimi bënë fuqi, ndërsa me siguri se këtë herë janë bashkuar forcat e Haraçinës legjendare, për ta rikthyer futbollin dhe dashurinë për këtë sport në vendin e tyre, bashkë edhe me tifozët e tyre “ÇLIRIMTARËT”, të cilët në çdo ndeshje, pavarësisht se skuadra e Shkëndijës i zhvillon ndeshjet si nikoqir tek fqinjët e tyre në Hasanbeg, por edhe jashtë tij, ata vazhdojnë të jenë futbollisti i 12-të.

Kur jemi tek stadiumi, vlen të theksohet se edhe neve si “infOSport.mk” i bashkëngjitemi nismës #DuamStadium në Haraçinë, pasi ky vend çdoherë din të prodhojë talentë të futbollit, ndërsa shumë talentë ka edhe brenda kësaj skuadre aktuale, që shpresojmë fillimisht të arrijë objektivin, Ligën e Tretë, e më pas sezonet në vazhdim lartë e më lartë, por gjithsesi duke festuar me tifozët e tyre në stadiumin e tyre në Haraçinë. (infOSport.mk)

Leave a Reply