Pas reagimit të Drejtorit Sportiv të FC Shkupit, Omer Bunjaku, sot ndaj vendimit të Këshillit të Qytetit të Shkupit për ndihmë financiare prej 15 milionë denarëve për Vardarin, ka reaguar edhe fqiu i tyre, Rabotniçki
Nga tabori i “romantikëve” kanë potencuar se janë kundër ndihmës që i jepet Vardarit, që ndodhet në një krizë të thellë financiare, por të njëjtit kërkojnë që të ndihmohen edhe klubet tjera që i takojnë qytetit të Shkupit.
“FC Rabotniçki është një markë e futbollit në Maqedoni, një klub i themeluar në vitin 1937. Ne besojmë se Qyteti i Shkupit duhet të mbledhë forca dhe të gjejë një mënyrë për të ndihmuar edhe klubet e tjera, veçanërisht ato të ligës së parë që kanë edhe një origjinë evropiane. Në këtë periudhë, vështirësi financimi kanë edhe klubet e tjera të futbollit në Maqedoni, dhe KF Rabotniçki është i vetmi klub nga Shkupi që ndeshjet i luan në arenën “Todor Proeski” dhe për këtë ndanë mjete të konsiderueshme. Dëshirojmë të theksojmë se ne nuk jemi kundër vendimit për të ndihmuar Vardarin, por nuk duhet të jetë vetëm një klub i privilegjuar në kurriz të gjithë të tjerëve”, thuhet në komunikatën e Rabotniçkit.
Kujtojmë se ditën e djeshme për të njejtën gjë reagoi edhe drejtori sportiv i FC Shkupit, Omer Bunjaku. Ky i fundit kishte reaguar pwrmes profilit tw tij zyrtarw nw “facebook”, ku ndwr tw tjerash kishte shkruar: “Ka tani sa vite që në vendin tonë është bërë e obligueshme që të gjitha klubet të kalojnë në Shoqëri Akcionare, që do të thotë do të kenë sponsorët e tyre, duke përfshirë këtu edhe disa mënyra të tjera që vijnë si ndihmë nga vetë shteti.
Por duke mos dashur shumë të merrem me temën, e Shoqërive Aksionare, Qyteti i Shkupit si duket po harron se nuk ka të drejtë të bëjë ndarje mes klubeve.
E them këtë, se në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, vetëm nga qyteti i Shkupit, për momentin garojmë katër klube, FC Shkupi, FC Makedonija Gj.P., Rabotniçki dhe Skopje, ndërsa pikërisht qyteti i Shkupit ka vendosur që me 250 mijë euro të ndihmojë klubin e Vardarit, që po garon në Ligën e Dytë, ndërsa po ky klub tani më nuk është i qytetit, por është në pronësi private.
Vallë a ka harruar kryetarja dhe të zgjedhurit e popullit në kuvendin e qytetit (në përjashtim të shqiptarëve, të cilët nuk e kanë mbështetur), se jo të gjithë shkupjanët e duan Vardarin dhe se nuk duan që parat nga taksat e tyre të shkojnë në klubin që fare nuk ka të bëjë me ta.
As unë që i paguaj taksat, nuk dua që të sponsorizoj dhe financoj klubin e Vardarit, hiq më pak kur edhe ne si klub që garojmë në Ligën e Parë kemi nevojë të madhe që të ndihmohemi nga buxheti i qytetit, arkën e të cilit e mbushin edhe me parat tona.
Është koha e fundit, që qyteti të mos bëhet për dikë nënë e për dikë njerkë, të gjithë të mundohen dhe të kryejnë obligimet sipas posteve që kanë marrë. Në fakt me këtë, Qyteti i Shkupit me këtë akt, nuk po e ndihmon klubin e Vardarit, por drejtpërdrejt pronarët e rinj të tij.”