Gostivari vazhdon të jetë skuadra e vetme që ende nuk ka shijuar disfatë në Ligën e Dytë, aty ku të shtunën u zhvilluan dy takimet e para të javës së 12-të.
Voska Sport mundi KF Arsimin me shifrat 2:1 si mysafir, ndërkohë me po të njëjtin rezultat, Gostivari mundi Ohrid Lihnidos, raporton “infOSport.mk”.
Kalanoski dhe Velinov u përkujdesën për golat e shënuar në këtë ndeshje në Ohër, duke i siguruar fitoren e 9-të Gostivarit, derisa në anën tjetër duke i shkaktuar disfatën e parë Ohrid Lihnidos, pas 6 fitoreve të njëpasnjëshme ndaj skuadrave, si: Borec, Detonit Plaçkovica, Karaorman, Lokomotiva, Sasa dhe Besa Dobërdoll.
Ndryshe, ishte kjo disfata e katërt këtë edicion për Ohrid Lihnidos, që renditet në pozitën e katërt me 22 pikë, derisa Gostivari me 30 pikë mban pozitën e parë. (infOSport.mk)