Struga Trim Lum ka siguruar një biletë për në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës, pasi sot si vendas mundi Bregallnicën me rezultatin 2:0, njofton “infOSport.mk”.
Ekipi strugan ishte dukshëm më i mirë se kundërshtari gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa këtë e konfirmuan edhe me dy golat e shënuar, nga një në secilën pjesë.
Autori i golit të parë ishte Edis Maliqi, edhe atë vetëm pas dy minutave lojë.
Goli i tij edhe pse i shënuar që në fazën e hershme, doli të jetë i vetmi gjatë 45 minutave të para.
Në pjesën e dytë fotografi e njëjtë në fushën e blertë, me Struga Trim Lum që sulmonte dhe që vazhdimisht kërkonte golin, i cili erdhi në minutën e 59-të, këtë herë me autorë Bunjamin Shabani.
Për kapitenin e Struga Trim Lum ishte ky goli i parë këtë edicion në kuadër të ndeshjeve të Kupës, ku më parë skuadra strugane kishte eliminuar Vardar Negotinën dhe Rabotniçkin.
Me eliminimin e Bregallnicës, tashmë Struga Trim Lum sheh veten në gjysmëfinale, aty ku do të luajnë edhe Makedonija GJ.P dhe Sileksi.
Makedonija GJ.P e Muharem Bajramit eliminoi Akademia Pandevin duke e mundur me rezultatin minimal 1:0. Edhe njëherë tjetër për “verdhekuqtë” nga Gjorçe Petrovi realizoi Adama Samake, ndërsa Sileksi një vend për në gjysmëfinale siguroi vetëm pas ruletit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt në Kratovë kundër Vardarit u mbyll me rezultatin e fillimit 0:0.
Ndryshe rezultati përfundimtarë i këtij takimi doli të jetë 3:2 në favor të skuadrës së Gorazd Mihajllov. Sa i përket udhëtuesit të fundit për në ndeshjet gjysmëfinale, një gjë të tillë do mësojmë ditë më vonë, pasi Komisioni i Garave të marrë vendimin përfundimtarë për ndeshjen e ndërprerë në Çair midis FC Shkupit dhe Shkëndijës. (infOSport.mk)