Lideri aktual në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, Struga Trim Lum, sot në kuadër të javës së 14-të do të jetë mysafir i Rabotniçkit. Do të jetë kjo njëherit ndeshja më interesante e kësaj jave, me ekipin strugan që shihet si favorit si nga pozita momentale, po ashtu edhe nga tradita, shkruan “infOSport.mk”.
Nëse i referohemi kësaj të fundit, “romantikët” lirisht mund të themi se janë skuadra e preferuar e Struga Trim Lum, që në përballjet me këtë skuadër njeh vetëm një disfatë nga gjithsej 12 ndeshje të zhvilluara mes ndeshjeve kampionale dhe ato të Kupës.
8 fitore ka regjistruar skuadra strugane, ndërsa tre ndeshje janë mbyllur me barazime. Bazuar në të gjitha statistikat e skuadrës strugane, i bie që Rabotniçki është skuadra e tyre më e preferuar, pasi në historikun e tyre kanë më së shumti fitore pikërisht ndaj kësaj skuadre. (infOSport.mk)