Struga Trim Lum edhe përkundër faktit se ndodhet në pozitën e parë në renditje, nga ky klub shprehen të pakënaqur me arbitrimin në ndeshjet e futbollit vendor. Ata kanë reaguar përmes faqes zyrtare, duke kërkuar nga Federata e Futbollit në vend, që arbitrimi të ndjekë standardet minimale, me qëllim që arbitrët të mos bëhen protagonistë të rezultateve.
Ata në reagimin e tyre kanë numëruar disa nga episodet, ku sipas tyre Struga Trim Lum është dëmtuar drejtëpërdrejtë nga arbitrët, siç kishte ndodhur në ndeshjen kundër FC Shkupit në Çair, pastaj atë të Kupës kundër Rabotniçkit dhe së fundmi kundër Bregallnicës në Strugë.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e drejtuesve të Struga Trim Lum, të cilët në fund besojnë fuqishëm se gjitha këto gabime nuk janë bërë qëllimisht.
Reagim ndaj Komisionit të Arbitrimit
Klubi i FC Struga Trim Lum është munduar të ju përmbahet reagimeve të këtilla ndaj arbitrimeve, por analiza e fundit e komisionit të arbitrimit na detyron te kërkojmë një shpjegim, se si është analizuar e njëjta.
Situata e dyshimte tek goli i ekipit mik në minutën 24-të, të ndeshjes së fundit gjë që ndikon dretpërdrejtë në rezultatin e ndeshjes.
Me këtë rast duam gjithashtu të shprehim indinjatën tonë ndaj arbitrimit të dobët dhe neglizhent në fushën e blertë, e sidomos në ndeshjet e fundit, ku ekipi jonë është dëmtuar në 3 nga 4 ndeshjet e zhvilluara (këtë gjë e konfirmoni vetë ju në analizat e bëra):
– Java 10 – pranë rezultatit 0:0, penalti e paqënë e akorduar në favor të ekipit kundështar, FC Shkupit, ndeshja përfundon 1:0 në favorin e tyre.
– Ndeshja 1/8 e finales së Kupës kundër Rabotniçkit, gol i anuluar për pozitë jashtë loje, vendim i çuditshëm duke parë se lojtari që godet topin, është para sulmuesit të ekipit tonë i cili shënon.
– Java 13 – pranë rezultatit 1:0 në favorin tonë, ekipi mysafir i Bregallnicës shënon golin e barazimit, arbitri gjykon se pozicioni i lojtarit është i rregullt dhe lejon loja të vazhdojë.
Komisioni i arbitrave i jep të drejtë anësorit (Pamjet tregojnë krejtësisht një gjë tjetër)
Gabimet në arbitrim kanë ndodhur dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen dhe për këtë ne si klub jemi të vetëdijshëm dhe i pranojmë, por në 4 ndeshjet e fundit ekipi ynë është bërë pre e gabimeve, në 3 prej tyre gjë që ndikon në ecurinë, objektivat dhe gjendjen e ekipit në vazhdimësi të kampionatit.
Mos pranimi i gabimit dhe konfirmimi me plotë siguri i tij na shqetëson dhe na shtyu për të bërë këtë reagim dhe njëkohësisht të kërkojmë shpjegim nga Komisioni i arbitrave se si në këtë situatë deklarojnë se goli ishte i rregullt.
Cilat janë pamjet që janë paraqitur në këtë komision që e konfirmojnë me aq siguri golin e ekipit mik?
Ne si klub nuk kërkojmë që të vendoset gishti në arbitra të caktuar dhe ata të dënohen, aspak, por kërkojmë që kur gabimet të bëhen të reflektohet mbi ta dhe të përmirësohet arbitrimi në fushë dhe imazhi i arbitrave dhe Komisionit të arbitrimit për një futboll më të bukur dhe pa ndikime.
Me respekt FC STRUGA TRIM LUM