Tre pikët ishin objektiv i Shkëndijës në transfertën me Skopjen dhe pavarësisht se fitorja 1:0 duket minimale, skuadra tetovare gjithsesi se realizoi planin. Një gjë të tillë pohoi shefi i stafit teknik, Qatip Osmani në prononcimin e tij pas ndeshjes, ku cek se në këtë fazë me rëndësi është fitorja që erdhi me golin e vetëm të Ljupço Dorievit.
“Sigurisht se për ne rëndësi kishte fitorja dhe tre pikët. Edhe pas golit të shënuar kemi kërkuar golin e dytë që nuk arritëm ta gjejmë. Por megjithatë duke pasur parasysh kundërshtarin dhe terrenin, ne krijuam edhe disa raste që fatkeqësisht mbetën të pashfrytëzuara. Sigurisht se jam i kënaqur me fitoren dhe tre pikët, sepse kjo na len në luftë për kreun e tabelës“ – u shpreh fillimisht Osmani, i cili thotë se fitorja e Shkëndijës pavarësisht që doli të jetë minimale, ishte plotësisht e merituar, pasi kundërshtari në asnjë moment nuk i kishte rrezikuar ata.
“Mendoj se në këtë ndeshje treguam një siguri. Edhe pse nuk shënuam golin e dytë që do na jepte qetësi, në anën tjetër nuk i lejuam kundërshtarit të krijojë ndonjë rast. Ashtu që sa i përket edhe këtij aspekti jam i kënaqur sepse treguam një stabilitet që në raste të caktuara edhe këtë rezultat duhet të dish si ta mbrosh“ – deklaroi Osmani, i cili shprehet i kënaqur që Shkëndija e tij tashmë i afrohet vetëm 3 pikë skuadrës kryesuese të Struga Trim Lum.
Kjo bënë që Osmani të besoj shumë më shumë tek titulli kampion.
“Sigurisht më kënaq fakti se jemi afruar 3 pikë pranë kreut, por megjithatë ne duhet të jemi të gatshëm për çdo lojë që na pret. Duhet të shohim punën tonë, të marrim ndeshjet një nga një, sepse qëllimi përfundimtar është të dalim kampion. Nuk është hera e parë që Shkëndija ndjek negativë për të dalë kampione. Kemi treguar edhe më parë se mund të arrijmë objektivin që kemi“ – përfundoi Osmani.