Makedonija GJ.P e Muharem Bajramit morri një pikë të madhe ndaj Struga Trim Lum (VIDEO)

Pas 8 fitoreve të njëpasnjëshme, Struga Trim Lum ka barazuar 1:1 në transfertën në Shkup ndaj Makedonija GJ.P, njofton “infOSport.mk”.

Pjesa e parë doli të jetë shumë e zbehtë kur janë në pyetje rastet apo edhe golat, ashtu që e njëjta u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa në pjesën e dytë të pranishmit në stadiumin në Gjorçe Petrov, patën mundësinë të shohin një futboll shumë më të bukur, që në fund u kurorëzua me dy gola të shënuar, nga një në secilën anë.

Të parët që tentuan golin ishin mysafirët nga Struga, mirëpo goditja e fuqishme e Besart Ibraimit me të majtën e tij në minutuën e 53-të nga një distancë prej rreth 25 metrash, u ndal për mrrekulli nga portieri vendas, Stevkovski.

Në minutën e 58-të Fahrudin Gjurgjeviç ishte shumë afër golit, mirpëo traverza shpëtoi portierin Qoshevski, që më pas në tentativën e dytë të sulmuesit boshnjak, Ardi Kasami të pastrojë nga vija e golit.

Në minutën e 62-të rezultati u zhbllokua, kjo falë Bunjamin Shabanit, i cili me një goditje të mençur nga brendia e zonës gjeti cepin e pambrojtur nga ana e portierit Stevkovski, duke kaluar në avantazh Struga Trim Lumin.

Në minutën e 74-të Mateus shtoi edhe më shumë problemet te Makedonija GJ.P, duke u ndëshkuar edhe me kartonin e dytë të verdhë. Përjashtimi i tij ju dha më shumë mundësi futbollistëve tanë në sulm, ndërsa shumë pak mungonte që një kundërzbritje e Ibraimit të kurorëzohet me gol nga ana e nigerianit Ukpa, mirëpo në momentin e fundit intervenoi portieri Stevkovski.

Në minutën e 78-të pas harkimit të Shabanit në zonën kundërshtare, mbrojtësi Darko Ilieski ishte shumë pranë golit, mirëpo goditja e tij me kokë përfundoi për disa centimetra jashtë kuadratit.

Në anën tjetër Ermedin Adem provoi me të djathtën e tij nga një distancë prej 20 metrash, mirëpo topi përfundoi vetëm në rivënie fundore.

I njëjti në minutën e 84-të pati mundësi që nga penaltia të barazojë shifrat, mirëpo goditja e tij përfundoi vetëm mbi traverzë.

Megjithatë atë që nuk e bëri Adem nga penaltia, e bëri rezervisti Aleksovski nga loja, kur në minutën e 86-të u gjind më së miri në zonën kundërshtare dhe nga afërsia shënoi për 1:1, pas super asistit të Lavdrim Skenderit.

Pas këtij goli Struga Trim Lum tentoi të rigjejë edhe golin e dytë, mirëpo fati nuk ishte me struganët, e në veçanti me kapitenin Bunjamin Shabani, i cili në minutën e 93-të goditi vetëm mbi traverzë nga një mundësi ideale.

Pas 9 xhirove, Struga Trim Lum vazhdon të udhëheq bindshëm renditjen tabelare, tashmë me 25 pikë, pas 8 fitoreve dhe barazimit të parë që erdhi sot. (infOSport.mk)

Leave a Reply