Numri një i futbollit botëror, Xhianni Infantino sot do të vizitojë Shqipërinë.
Presidenti i FIFA-s, fillimisht do të takohet me drejtuesit e FSHF-së dhe anëtarët e komunitetit të futbollit shqiptar.
Një vizitë që përkon me festimet për 90-vjetorin e anëtarësimit të FSHF-së në FIFA, por edhe për inaugurimin e “Shtëpisë së Futbollit”, një kompleks modern i financuar pikërisht nga programi “Forward” i FIFA-s.
Gjatë vizitës, Presidenti Infantino do të pritet në një takim edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërkohë që do të marrë pjesë në eventin festiv që do të organizohet në “Shtëpinë e Futbollit” me rastin e inaugurimit.
Ky kompleks gjigand, në të cilin ndodhet edhe selia e FSHF-së, është thuajse drejt përfundimit së bashku me dy mini-stadiumet, që shumë shpejt do të hapin dyert për ekipet kombëtare të Shqipërisë e ofrojnë një infrastrukturë bashkëkohore me të gjitha kushtet që kanë stadiumet më moderne. Një investim madhor i FIFA-s e që i jep ekipeve kombëtare të moshave një shtëpi dinjitoze ku talentet e reja kanë të gjitha ambientet e nevojshme.
Numri një i FIFA-s e kishte paralajmëruar prej muajsh këtë vizitë përmes një letre dërguar presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Pas Shqipërisë, i pari i FIFA-së do të vazhdojë vizitën e tij edhe në Kosovë ku do të qëndrojë gjatë se premtes dhe do të takohet me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Vizita e tij në Shqipëri dhe Kosovës është shumë e rëndësishme pasi po bëhet në prag të fillimit të Kampionatit Botëror “Katari 2022”.