Maqedonia mundet sërish nga Gjeorgjia, debuton Agon Elezi (VIDEO)

Përfaqësuesja e Maqedonisë në ndeshjen e parafundit të grupit 4 në Ligën B, pësoi disfatë 2:0 në udhëtim në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë, duke humbur kështu të gjitha gjasat për atë pozitë të parë, të cilën që sonte e siguruan gjeorgjianët me trajnerin e tyre francez, Vili Sanjoll, njofton “infOSport.mk”.

Pjesa e parë ishte më e mirë për Gjeorgjinë që në disa raste rrezikoi seriozisht portën tonë, derisa golin e epërsisë e gjetën vetëm duke iu falënderuar sulmuesit Bojan Miovski, i cili në minutën e 35-të ndodhi që të gjendej në vendin e gabuar dhe para portës së gabuar.

Thjesht në ato momente Miovski nuk kishte se si të reagonte, pasi vetë topi e qëlloi në këmbë, ndërsa nga këmbët e tij i njëjti përfundoi pas shpinës së Dimitrievskit, për rezultat 1:0.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa pjesën e dytë të përzgjedhurit e Bllagoja Milevskit e nisën vrrullshëm, mirëpo thjesht fati nuk ishte në anën e tyre. Elif Elmas brenda pak minutave dy herë rrezikoi portën gjeorgjiane, kur fillimisht preku vetëm pjesën e jashtme të rrjetës, që më pas goditjen e tij me kokë ta ndal portieri Mamardashvili.

I njëjti në minutën e 51-të ndali edhe tentativën e Bojan Miovskit nga brendia e zonës, ndërsa nuk duheshe të intervenojë pas goditjeve nga distanca të Alioskit dhe Bardhit.

Në anën tjetër bashkëlojtari i Elmas te Napoli, Kvaratskhelia në minutën e 55-të rreizkoi dukshëm portën e Dimitrievskit, i cili pati fat, pasi top sa sa po i afrohej golit, morri një kahje tjetër, duke përfunduar jashtë kuadrantit.

Pas këtyre rasteve të njëpasnjëshme, pasoi një periudhë e qetë, mirëpo vetëm për 10 minuta, pasi në minutën e 65-të i gjithë stadiumi po festonte golin e dytë, që erdhi pas një gabimi të Velkovskit në mesfushë, ndërsa këtë më së miri e shfrytëzoi Zivzivadze, i cili pasi udhëhoqi topin për disa metra drejt portës së Dimitrievskit, në momentin e fundit pasoi për Kvaratskhelia, i cili nuk fali dhe nga afërsia shënoi për 2:0.

6 minuta më pas erdhi edhe një gabim tjetër i “verdhekuqve”, këtë herë me aktorë, Visar Musliun, mirëpo këtë herë fati ishte me ne, pasi goditja e Zivzivadze përfundoi vetëm jashtë portës.

Bardhi ishte shumë pranë golit, edhe atë ndoshta më të bukurin e takimit, mirëpo goditjen e tij në minutën e 80-të nga gjuajtja e lirë, portieri gjeorgjian Mamardashvili e devijoi në rivënie nga këndi.

Ishte kjo tentativa e fundit e Bardhit në këtë ndeshje, pasi në minutën e 84-të i la vendin shkupjanit tjetër, Agon Elezi, i cili sonte bëri debutimin e tij me fanellën e përfaqësueses A të Maqedonisë. Bëhet fjalë për një futbollistë vetëm 21-vjeç, që aktualisht luan me ekipin e Varazhdin në elitën e futbollit kroat, ndërsa pas paraqitjeve me ekipet zinxhir të Maqedonisë, sonte i erdhi rradha të realizojë ëndërrën e tij, për të luajtur edhe me ekipin e parë, pranë yjeve si Bardhi, Elmaz, Alioski, etj.

Ndryshe tentativa e Bardhit, ishte e fundit e skuadrës së Bllagoja Milevskit, që të hënën do të tentojë që në Shkup këtë cikël të Ligës së Kombeve ta mbyll me fitore kundër Bullgarisë.

Njëherit ndeshja e 26 shtatorit kundër Bullgarisë do të vendos se cila prej këtyre dy përfaqësueseve do të sigurojë vendin e dytë në grupin 4 të Ligës B, kjo pasi Gjeorgjia tashmë me 13 pikë të grumbulluara në 5 xhirot e para ka betonuar vendin e parë. (infOSport.mk)

Leave a Reply