Legjenda e futbollit në vend, Goran Pandev edhe zyrtarisht i ka thënë lamtumirë futbollit aktiv. Një gjë të tillë, Pandev e kishte konfirmuar përmes një intervistë për prestigjiozen italiane “Gazzetta dello Sport”, duke pohuar se nuk mendon më për të luajtur futboll, mirëpo njëkohësisht duke paralajmëruar që do të mbetet pjesë e lojës më të mirë sportive në Botë.
“Pas plotë 20 vitesh, është koha edhe për ti dhënë fund. Djali im më i madh ka gati 13 vite, dhe në të kaluarën atë e kam parë vetëm gjatë pushimeve sezonale. Tani dua që ti përkushtojë më shumë vëmendje familes, mirëpo kjo nuk do të thotë që do të largohem nga futbolli, pasi unë nuk di të bëjë diçka tjetër përveç futbollit. Gjatë gjithë verës nuk kam menduar shumë për futboll. Disi u lëshova, duke ngrënë më shumë dhe duke u stërvitur më pak. Kështu arrita disa kilogram më shumë, ndërsa në moshë 39-vjeçare gjithçka është më ndryshe dhe më rëndë” – u shpreh Goran Pandev.
Ish kapiteni i përfaqësueses së Maqedonisë gjatë karrierës së tij të bujshme la shumë gjurmë në shumë klube europiane, para së gjithash ato italiane, ndërsa në të ardhmen e sheh veten si drejtor, apo edhe agjent sportiv.
“Dua të punoj me të rinj dhe të ju ndihmojë atyre, të flas me ata dhe ti ndjek ndeshjet e tyre. Për atë në të ardhmen e shoh veten si drejtor, apo edhe si agjent sportiv. Për në fund dua të ju bëjë një falënderim të madh për të gjithë. Gjithë trajnerëve të mi, presidentëve dhe të gjithë tifozëve” – shton Pandev.
Klubi i fundit i Goran Pandev në karrierë ishte skuadra e Parmës, te e cila skuadër u transferua verën e vitit të kaluar.
Pandev karrierën e tij e kishte nisur te Bellasica, për të cilën skuadër luajti vetëm një edicion, që më pas verën e vitit 2001 në moshë 18-vjeçare të transferohet te gjigandët italian të Interit. Pjesa tjetër mund të themi se është histori në vete.
Te skuadra nga Milano, Pandev nuk u gjind më së miri, me ç’rast i njëjti huazohej nëpër skuadra të ndryshme, që më pas në vitin 2004 të transferohet te Lacio, ku arriti të shkëlqej për gjatë 6 sezoneve, duke shënuar më shumë se 50 gola në të gjitha kompeticionet.
Paraqitjet e shkëlqyeshme me skuadrën e Lacios, detyruan drejtuesit e Interit që të rikthejnë Goran Pandev në “Xhuzepe Meaca”, që u tregua edhe si vendim i mirë.
Në vitin 2010, Goran Pandev ishte pjesë e skuadrës historike të “neroaxurrëve”, duke fituar tripletën. Atë vit, Interi bashkë me Pandev fituan Serie A, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve.
Pas shëkputjes së kontratës me Interein, Pandev sërish mbeti në Itali, duke përforcuar rradhët e Napolit, te e cila skuadër luajti për 3 sezone. Pasoi një aventurë një vjeçare në Turqi te skuadra e Galatasarajit, për tu rikthyer sërish në Itali, aty ku nga viti 2015 deri në vitin 2022 mbrojti ngjyrat e Xhenoas, derisa 6 muajt e fundit i kaloi te skuadra e Parmës.
Për ekipin përfaqësues të Maqedonisë, i njëjti zhvilloi 122 ndeshje, duke realzuar edhe 38 gola, më shumë se çdo lojtar tjetër. Ai me fanellën “verdhekuq” kishte debutuar në vitin 2002, ndërsa pikërisht nën drejtimin e tij si kapiten, Maqedonia për herë të parë në histori siguroi pjesëmarrje në një Kampionat Europian.
Pandev shënoi golin historik ndaj Gjeorgjisë, me të cilin Maqedonia siguroi vizën për në Europianin e vitit 2020(1), aty ku edhe arriti të shënojë golin debutues për ekipin përfaqësues përballë Austrisë.