Ish trajneri i Shkëndijës, Ernest Gjoka, karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në Arabinë Saudite. Tekniku i njohur shqiptarë do të drejtojë skuadrën e Ohod FC.
Një aventurë e largët, por mjaft interesante për një nga trajnerët që ka bërë histori në Shqipëri duke fituar titullin e parë kampion me skuadrën e Kukësit, me të cilën gjithashtu kishte fituar edhe SuperKupën dhe Kupën shqiptare, njëjtë sikurse kishte bërë edhe me Flamurtarin e Vlorës, kur në sezonin 2013/14 kishte fituar Kupën, derisa me Shkëndijën vitin 2021 ishte shpallur kampion në Maqedoni.
Janë këto sukseset e Gjokës si trajner, karriera e të cilit pritet me shumë interes se si do të vijojë në Arabinë Saudite.
Emri i Gjokës shpesh është përfolur për të marrë drejtimin e ekipeve elitare shqiptare, ndërsa së fundmi emri i tij përflitej edhe me Shkëndijën, te e cila skuadër ndodhën disa ndryshime, përfshirë këtu edhe postin e trajnerit, të cilin drejtuesit e rinj të skuadrës tetovare i’a besuan legjendës së tyre, Qatip Osmani.