Struga Trim Lum po shkëlqen këtë edicion në elitën e futbollit vendor, teksa në 7 xhirot e para ka marrë po aq fitore, duke u renditur në mesin e atyre skuadrave që pritet të pretendojnë për titullin e kampionit, shkruan “infOSport.mk”.
Skuadra e trajnerit Srgjan Zaharievski në kuadër të xhiros së 8-të në LPFMV do të jetë nikoqir i Tikveshit, skuadër kjo që në Strugë vjen pas dy fitoreve rresht ndaj FC Shkupit, gjegjësisht Akademia Pandev.
Ndryshe ndeshja e sotme midis Struga Trim Lum dhe Tikveshit do të jetë vetëm e katërta mes tyre në historinë e elitës së futbollit vendor, teksa skuadra kryesuese e tabelës do të jetë në kërkim të fitores së parë ndaj skuadrës nga Kavadari.
1 fitore për Tikveshin dhe 2 barazime, është epilogu i takimeve të deritashme, teksa sot trajner Zaharievski sikur po nuhat fitoren e parë ndaj skuadrës nga Kavadari, ndaj së cilës ka vendosur të luaj me një formacion shumë sulmues, duke vendosur treshen ofenzive, Maleski-Ibraimi-Shabani.
Pas tyre në mesfushë do të manovrojnë Jahja dhe Merxhani në krahë si dhe Bojku dhe Hogan në qendër të saj, derisa para portierit Qoshevski, në vijën e fundit do të luajnë Radiç-Ilieski-Kasami.
Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Tikveshit, starton në ora 15:00. (infOSport.mk)