Fortuna e Hasanbegut me “manita” eliminoi nga Kupa Borecin e “famshëm”

Fortuna e Hasanbegut ka bërë surprizën më të këndshme në ndeshjet e 1/16 së finales së Kupës, duke eliminuar Borecin, skuadër kjo që deri edicionin e kaluar garonte në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra shkupjane nga lagjja e Hasanbegut, që aktualisht garon në Ligën e tretë-Veri, të mërkurën eliminoi Borecin e Velesit, një skuadër mjaft e njohur në futbollin tonë vendor, që deri edicionin e kaluar garonte në Ligën e Parë.

Djelmoshat shkupjan shkëlqyen dje para tifozëve të tyre, duke mundur ekipin e Borecit me rezultatin 5:3, një rezultat të cilin ndoshta edhe optimistët më të mëdhenj dhe tifoz të skuadrës së Fortunës, as që do e kishin ëndërruar. Megjithatë, ja që ndodhi, Fortuna e Hasanbegut zhvilloi një super ndeshje, duke u kualifikuar në mesin e 16 skuadrave më të mira në futbollin vendor, krahë për krahë me skuadrat si FC Shkupi, Shkëndija, Struga Trim Lum, etj.

Sead Jakupi me dy gola të shënuar, ishte më i dalluari në rradhët e Fortunës, për të cilën skuadër nga një gol shënuan edhe Jovanço Canevski, Dalip Saiti dhe Memedovski, ndërsa në anën tjetër për Borecin, realizuan Dimoski gjatë pjesës së parë dhe Poposki dhe Nikolovski, që shënuan në pjesën e dytë, që doli të jetë e barabartë, me nga dy gola të shënuar nga të dyja skuadrat.

Vlen të theksohet se Fortuna nga minuta e 84-të luajti me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Florim Murtezanit, mirëpo edhe kjo nuk i pengoi luanat nga Hasanbegu, që në disavantazh numerik të shënojnë edhe golin e 5-të dhe të sigurojnë biletën për në raundin e dytë të garave të Kupës. (infOSport.mk)

Leave a Reply