Të mërkurën në program janë ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Makedonija GJ.P si fitues i Kupës edicionin e kaluar dhe Sileksi si finalistë, do të luajnë direkt në 1/8 e finales, aty ku pa luftë do të garojnë edhe Voska Sport, Ljuboteni dhe Skopje.
Që të tre këto skuadra ishin me fat, kjo pasi kundërshtarët e tyre ishin tërhequr nga kjo garë. Voska Sport duheshe të luaj me Zajazin, Skopje me Crno Bukin, ndërkohë Ljuboteni me Renovën, skuadër kjo që para fillimit të sezonit të ri u largua nga të gjitha garat.
Kampionët e FC Shkupit në 1/16 e finales do të përballen me Bellasicën në Strumicë, derisa skuadra që aktualisht kryeson bindshëm renditjen në Ligën e Parë, Struga Trim Lum do të jetë mysafir i Vardarit në Negotinë.
Një ndeshje mjaft interesante pritet të jetë edhe ajo në Gostivar, ku skuadra vendase e Gostivarit do të mirëpret Pelisterin në një reprizë të ndeshjes së fundjavës, kur këto dy skuadra u përballën njëra me tjetrën në kuadër të javës së katërt në Ligën e Dytë.
Shkëndija e Tetovës do të udhëtojë drejt Strugës, aty ku do të përballet me Karaormanin, Fortuna e Hasanbegut që garon në Ligën e tretë do të mirëpret Borecin, ndërkohë Teteksi në Tetovë do të jetë nikoqir i Akademia Pandev.
Vardari do të jetë mysafir i Sasa-s, Tikveshi do të luaj në transfertë ndaj Kozhuvit, ndërsa Bregallnica në Vinicë do të përballet me Sllogën.
Rabotniçki me Stojançe Ignjatov në bankinë do të tentojë të marrë fitore në transfertën ndaj BVK Konjarit, ndërkohë Karbinci do të mirëpret Pobedën e Prilepit. (infOSport.mk)